Taulant Balla kërkon dorëheqjen e Marjana Koçekut: Mandati i përket PS, jo deputetes së pavarur
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, i ka kërkuar deputetes Marjana Koçeku të dorëzojë mandatin e saj parlamentar. Kjo kërkesë vjen pas vendimit të Koçekut për të braktisur PS, për t’iu bashkuar protestave për dorëheqjen e kryeministrit dhe për të ushtruar mandatin si deputete e pavarur.
Në përfundim të mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, Balla argumentoi se Koçeku nuk është zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, por përmes listave të Partisë Socialiste. Sipas tij, vetëm një deputet i zgjedhur drejtpërdrejt nga votuesit do të kishte të drejtë të përdorte mandatin pavarësisht ndryshimeve politike.
“Një person që nuk di të respektojë ata që e kanë zgjedhur, duhet të dijë se Partia Socialiste ia dha mandatin. Prandaj, duhet ta dorëzojë atë, pasi nuk është një person i votuar drejtpërsëdrejti. Vetëm kur të votohet drejtpërsëdrejti, do të ketë të drejtë të përdorë mandatin”, theksoi Balla.
Deputetja e Qarkut të Shkodrës, Marjana Koçeku, njoftoi më 14 qershor vendimin e saj për t’u shkëputur nga grupi parlamentar socialist, duke deklaruar se do të vazhdonte punën si deputete e pavarur. Në një reagim në rrjetet sociale, Koçeku u shpreh se idealet dhe vlerat e saj mbeten të pandryshuara, duke sugjeruar një distancim nga Partia Socialiste.
Ndërkohë, në një letër të hapur drejtuar kryeministrit, deputetja i bëri thirrje këtij të fundit të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të japë dorëheqjen. Koçeku shkroi:
“Nëse do t’u jepja të mirën, do t’ju uroja më pak pushtet dhe më shumë fisnikëri. Kjo arrihet vetëm nëse kryeni aktin tuaj të fundit politik: atë të dorëheqjes. E di se ky vendim kërkon ndjeshmëri morale, fisnikëri politike dhe mbi të gjitha atdhedashni. Uroj t’i gjeni sa më parë këto virtyte, që vendin që shqiptarët jua dhanë ta lini me dinjitet. Për këtë, jeni ende në kohë. Sheshi po thërret me zë të fortë. Po i jep pushtetit mundësinë të vendosë drejtësinë. Prandaj si deputete e Kuvendit dhe si qytetare e Republikës së Shqipërisë, ju bëj thirrje të veproni në emër të së mirës së përbashkët; në emër të asaj që është dhe jo të asaj që ju mendoni se është; t’i shpërbleni shqiptarët me dorëheqjen tuaj.”
