Harta e re ekonomike: Zgjerimi i shtetit dhe ndërtimit në krahasim me rënien e bujqësisë dhe industrisë
Struktura e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë për vitin 2025 ka thelluar më tej tendencën e rënies së sektorëve prodhues. Pesha e sektorëve primarë dhe industrialë po zëvendësohet gradualisht nga një zgjerim i sektorit të shërbimeve dhe ndërtimit. Gjithashtu, pesha e shtetit në ekonomi u rrit më tej gjatë vitit të kaluar, e ndikuar nga zgjerimi në punonjës dhe rritja e pagave në këtë sektor.
Të dhënat më të fundit zyrtare të publikuara nga INSTAT tregojnë se:
- Sektori i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, dikur ndër kontribuuesit kryesorë, ka regjistruar një rënie të ndjeshme në peshën e tij në ekonominë e vendit, duke zbritur nga 15.31% në vitin 2024 në 14.59% gjatë vitit 2025. Në vitin 2019, pesha e bujqësisë në ekonominë e vendit ishte 18.4% e PBB-së.
- E njëjta tendencë rënëse vërehet edhe në sektorin e industrisë në tërësi, i cili ka shënuar një tkurrje të peshës në PBB nga 11.09% në 2024 në 10.08% në 2025. Kjo dinamikë ndikohet kryesisht nga industria përpunuese, e cila gjithashtu ka rënë me 0.51 pikë përqind brenda vitit. Para pandemisë, në vitin 2019, industria zuri 12.06% të PBB-së.
Arsyeja kryesore pse këta sektorë zënë një pjesë më të vogël të PBB-së në vitin 2025 është performanca e tyre negative. Bujqësia ka shënuar një rënie prej -2.50%, ndërsa industria në tërësi ka rënë me -3.72%, me industrinë përpunuese që gjithashtu ka shënuar rënie me -1.41% gjatë vitit të kaluar. Kjo tkurrje në vëllimin e prodhimit bën që pesha e tyre relative në totalin e ekonomisë të ulet.
Sakaq, sektori i ndërtimit shfaqi një trend krejt të kundërt, duke rritur më tej peshën në ekonomi. Ai arriti në 12.56% të totalit të PBB-së në 2025, nga 12.22% që ishte një vit më parë. Pesha e këtij sektori në ekonominë tonë u rrit me 4 pikë përqind ndërmjet viteve 2019-2025.
Pjesa dërrmuese e zgjerimit ekonomik mbetet e përqendruar te grupi i tregtisë, transportit, aktiviteteve të akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Ky grup ka zgjeruar dominimin e tij në ekonomi, duke zënë 19.40% të PBB-së për vitin 2025, krahasuar me 18.89% në vitin 2024. Rritja e peshës së këtyre sektorëve lidhet drejtpërdrejt me performancën e tyre pozitive.
Sektori i ndërtimit ka pasur një rritje reale prej 4.11%, ndërsa grupi i tregtisë, transportit dhe akomodimit ka rritur vëllimin e tij me 2.50%. Këta sektorë jo vetëm që kanë rritur vlerën e shtuar, por kanë dhënë një kontribut pozitiv në rritjen e përgjithshme të PBB-së.
Sektorët e tjerë të shërbimeve kanë ndjekur gjithashtu një trajektore rritëse. Administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale janë rritur në 11.78% të PBB-së. Pesha e sektorit publik në PBB-në e vitit 2025 u zgjerua me 0.44 pikë përqind në raport me vitin 2024.
Burimi: INSTAT