Putin mbledh Këshillin e Sigurimit, diskutohet Kaliningradi

Putin mbledh Këshillin e Sigurimit me dyer të mbyllura për të diskutuar çështje tepër sekrete

Presidenti rus Vladimir Putin thirri anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit në një takim me dyer të mbyllura të mërkurën, ku u diskutua situata rreth rajonit strategjik të Kaliningradit.

Sipas burimeve të cituara, mbledhja u zhvillua në një format të kufizuar, duke u përqendruar kryesisht te dokumente të klasifikuara, të njohura si “zarfe të kuq” tepër sekret. Përmbajtja e këtyre dokumenteve lidhet drejtpërdrejt me çështjet e mbrojtjes së enklavës ruse në Detin Baltik.

Në takim morën pjesë zyrtarë të lartë të sigurisë ruse, përfshirë drejtues të Shërbimit Federal të Sigurisë dhe përfaqësues të tjerë të aparatit të sigurisë shtetërore.

Edhe pse axhenda zyrtare përfshinte edhe çështje sociale dhe zhvillimore, sinjalet nga mbledhja sugjerojnë se fokusi kryesor ishte situata strategjike e Kaliningradit. Ky territor rus është i shkëputur gjeografikisht nga pjesa tjetër e vendit dhe është i rrethuar nga Lituania dhe Polonia.

Analistët vlerësojnë se diskutimet mund të kenë përfshirë skenarë të mundshëm për bllokada transporti, masa ushtarake mbrojtëse dhe sigurimin e autonomisë energjetike të rajonit.

Kaliningradi konsiderohet prej kohësh si një nga pikat më të ndjeshme strategjike në raportet mes Rusisë dhe NATO-s, për shkak të pozicionit të tij në kufirin lindor të Aleancës. Më herët, autoritetet ruse kanë deklaruar se do të mbrojnë këtë territor.

Scroll to Top