Shqipëria vazhdon të ketë një nga nivelet më të larta të kredive me probleme në rajonin e Europës Qendrore dhe Juglindore.
Të dhënat krahasuese nga Banka Europiane e Investimeve (EIB) tregojnë se në fund të vitit 2025, Shqipëria kishte një nivel prej 3.8% të kredive me probleme, një nga raportet më të larta në rajon. Vetëm Polonia shfaq një nivel më të lartë, prej 4.61%.
Vendjet e tjera në rajon, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor, kanë nivele më të ulëta të kredive me probleme. Konkretisht:
- Kosova: 2.03%
- Maqedonia e Veriut: 2.04%
- Serbia: 2.11%
- Bosnje-Hercegovina: 2.4%
Rezultatet e anketimit rajonal tregojnë se cilësia e kredisë është përmirësuar gjatë gjashtë muajve të fundit, me një ulje të kredive me probleme. Megjithatë, bankat parashikojnë një përkeqësim të cilësisë së kredisë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, veçanërisht për sektorët e shitjes me pakicë dhe të korporatave.
Analiza e EIB thekson se shqetësimet e ngjashme të shprehura nga bankat në vitet e kaluara nuk janë materializuar. Sipas statistikave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme në prill të këtij viti ra në 3.75%. Ky tregues ka shënuar një rënie edhe në bazë vjetore, nga 4.03% në prill 2025, dhe aktualisht është në nivelin më të ulët të 18 viteve të fundit.
Në vlerë absolute, stoku i kredive me probleme vlerësohet në afërsisht 36.3 miliardë lekë. Megjithatë, kreditë e këqija janë rritur me 3.4% krahasuar me një vit më parë.
Për momentin, raporti i kredive me probleme duket se po vazhdon tendencën rënëse, pavarësisht shqetësimeve të lidhura me rritjen e shpejtë të kreditimit në vitet e fundit. Ecuria e mirë makroekonomike dhe zgjerimi i vazhdueshëm i portofolit të kredisë po ndikojnë pozitivisht në këtë tregues.
Rritja e inflacionit po bën më të mundshme një rritje të normave të interesit, pasi Banka Qendrore tashmë ka ndërmarrë një rritje dhe nivelet aktuale të inflacionit mund të nxisin edhe Bankën e Shqipërisë për të njëjtin veprim. Sidoqoftë, Bankat Qendrore në skenarët bazë nuk parashikojnë efekte dramatike afatgjata në objektivat e tyre të inflacionit.
Normat më të larta të interesit mund të ndikojnë negativisht aftësinë paguese dhe kërkesën për kredi të reja. Teorikisht, kjo mund të shtojë rreziqet për rritje të kredive me probleme, por, për sa kohë rritja e normave do të jetë e kufizuar, ky ndikim nuk pritet të jetë shumë i madh.
Burimi: EIB
