Sfida të industrisë automotive Shqiptare: Lufta, Euro, dhe mungesa e stafit

“`html

Mes kostove të luftës dhe Euros, sfidat e industrisë automotive

Konfliktet gjeopolitike kanë sjellë rritje të kostove të transportit dhe të lëndëve të para për furnizuesit shqiptarë të industrisë automotive. Ky zhvillim po e vështirëson planifikimin afatgjatë dhe vendimmarrjen për investime. Në të njëjtën kohë, zhvlerësimi i vazhdueshëm i Euros kundrejt Lekut po ushtron presion shtesë mbi eksportuesit. Mungesa e fuqisë punëtore dhe rritja e pagave po ngushtojnë më tej avantazhin konkurrues të vendit. Përfaqësuesit e kompanive theksojnë se, në një mjedis ku parashikueshmëria është gjithnjë e më e ulët, ata detyrohen të rishikojnë strategjitë e rritjes dhe mënyrat e konkurrencës në zinxhirët europianë të furnizimit.

Për fabrikat që furnizojnë zinxhirët industrialë me pjesë apo produkte finale, luftërat dhe tensionet gjeopolitike nuk janë ngjarje të largëta. Sa herë ndodh diçka e kësaj natyre, pasojat reflektohen drejtpërdrejt në faturat e transportit, çmimet e lëndëve të para dhe planet e investimeve. Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon të ndikojë tregjet ndërkombëtare, tensionet në Lindjen e Mesme kanë rikthyer shqetësimet për sigurinë e rrugëve kryesore tregtare. Fabrikat shqiptare po përballen me një mjedis operativ gjithnjë e më të vështirë.

Për kompanitë që eksportojnë pjesë dhe komponentë për industrinë automotive europiane, sfida kryesore nuk është rënia e kërkesës, por mbi të gjitha mungesa e parashikueshmërisë. “Situata mbetet shumë e paqartë dhe panorama globale është e turbullt, çka e bën të vështirë planifikimin afatgjatë,” pohon Ertjan Çabiri, Drejtor Menaxherial i Delmon Group Shqipëri. Ai shton se ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare është ndier menjëherë te kostot operative: “Çmimi i naftës ka ndikuar drejtpërdrejt te kostot e transportit të produkteve, ndërsa presioni vjen edhe nga shtrenjtimi i lëndëve të para në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.”

Në industrinë prodhuese shqiptare, ku një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit lidhet me eksportet drejt Bashkimit Europian, rritja e kostove logjistike është një nga efektet më të prekshme të krizave gjeopolitike. Kompanitë po përballen me çmime më të larta transporti, vonesa në furnizime dhe vështirësi në parashikimin e kostove për periudha afatgjata. Eris Jaçaj, Drejtor Menaxherial i Forschner Albania, një nga kompanitë kryesore të sektorit të komponentëve elektrikë në vend, përshkruan një situatë të ngjashme: “Ne jemi një kompani me volume të konsiderueshme logjistike, të cilat përkthehen automatikisht në kosto më të larta transporti. Efekti u ndie menjëherë kur nisi konflikti në Lindjen e Mesme.”

Sipas z. Jaçaj, ndikimi nuk kufizohet vetëm te transporti. Lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, pasiguritë rreth Ngushticës së Hormuzit dhe ndryshimet e vazhdueshme në klimën ekonomike ndërkombëtare kanë detyruar kompanitë të rishikojnë vazhdimisht planet e tyre. “Planet për zgjerim i kemi vendosur disi në pritje për shkak të situatës globale dhe zhvillimeve jashtë kontrollit tonë,” shprehet ai. Ritmi i ndryshimeve ka qenë aq i shpejtë sa buxhetet e miratuara në fund të vitit janë detyruar të rishikohen pak muaj më vonë: “Buxheti i miratuar në nëntor u rishikua që në mars, për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe efekteve që ato sollën.”

Euro, goditja e dyfishtë e eksportuesve

Ndër shqetësimet më të mëdha për industrinë prodhuese dhe eksportuese mbetet kursi i këmbimit. Ndryshe nga vendet e tjera ku zhvlerësimi i monedhës vendase ndihmon eksportuesit të zbusin një pjesë të kostove, prodhuesit shqiptarë po përballen me forcimin e vazhdueshëm të Lekut në vitet e fundit. Z. Jaçaj e përshkruan këtë si një situatë paradoksale: “Në vende të tjera ku operon kompania, si Turqia për shembull, zhvlerësimi i monedhës lokale shpesh kompenson rritjen e kostove. Tek ne ndodh e kundërta, ku kostot e brendshme rriten, ndërkohë që Euro zhvlerësohet.”

Ertjan Çabiri ndan të njëjtin shqetësim, duke shtuar se kursi i këmbimit po ndikon te konkurrueshmëria e vendit për investime të reja në industri. Megjithatë, ky nuk është faktori i vetëm. Efektit të kursit i shtohen edhe politikat e rishikimit të pagave, si ajo minimale, si rrjedhojë e vendimeve qeveritare, dhe pjesa tjetër nën ndikimin e mungesës së fuqisë punëtore. “Për Shqipërinë, faktorët specifikë që po ndikojnë negativisht te konkurrueshmëria janë rritja e pagës minimale dhe kursi i këmbimit. Këto e bëjnë Shqipërinë më pak tërheqëse për investime, pasi vendi nuk po krijon avantazhe të qarta konkurruese për industrinë,” shprehet z. Çabiri.

Sipas përfaqësuesve të kompanive, rritja e pagave në vetvete nuk ka ardhur si pasojë e rritjes së produktivitetit, por nën presionin e mungesës së fuqisë punëtore dhe lëvizjeve të stafit.

Mungesa e talenteve po zhvendoset në nivelet drejtuese

Nëse pak vite më parë, shqetësimi kryesor i industrisë ishte gjetja e operatorëve të linjave të prodhimit, sot një pjesë e kompanive po përballen me një problem tjetër: largimin e stafit të kualifikuar dhe të menaxherëve. Z. Çabiri vëren se, ndërkohë që stabiliteti i punonjësve në prodhim është përmirësuar, niveli drejtues ka pësuar goditje të forta nga emigracioni. “Në dy vitet e fundit, thuajse të gjithë menaxherët që kemi pasur janë larguar, kryesisht drejt Gjermanisë, por edhe Italisë,” thotë ai.

Zëvendësimi i tyre është bërë gjithnjë e më i vështirë, pasi tregu vendas ofron pak profesionistë me përvojën e kërkuar. “Tregu nuk ofron staf të gatshëm dhe shpesh kompanitë detyrohen të marrin punonjës nga njëra-tjetra. Kjo krijon edhe një lloj flluske, pasi instrumenti kryesor që përdoret është paga,” shton z. Çabiri. Për t’iu përgjigjur kësaj situate, Delmon ka zgjedhur të promovojë punonjës nga brenda organizatës dhe të investojë në trajnimin e tyre.

Në kompaninë Forschner, situata paraqitet më e stabilizuar krahasuar me periudhën pas pandemisë, kur lëvizjet e stafit ishin më të theksuara. “Dy ose tre vite më parë kishim raste kur punonjësi largohej nga puna dhe të nesërmen nuk paraqitej më fare. Ishte një fenomen i përhapur në treg. Sot situata është ndryshe,” thotë z. Jaçaj. Ai shton se kompania është përpjekur të ruajë stafin përmes kushteve mbi mesataren dhe skemave të lidhura me produktivitetin.

“`

Scroll to Top