“`html
Shqipëria nuk mund të konkurrojë më me koston e ulët, tani po ndjekim një qasje të re
Intervistë me Eris Jaçaj, Drejtor Menaxherial i “Forschner Albania”
Në Shqipëri, avantazhi i kostos së ulët po zbehet me shpejtësi, duke detyruar industrinë prodhuese të rishikojë modelin e saj të konkurrencës. Forschner Albania është një shembull i këtij tranzicioni. Kompania, ashtu si shumica e bizneseve, po përballet me rritje kostosh, zhvlerësimin e Euros dhe pasiguri globale. Në këtë situatë, qasja e kompanisë ka shkuar drejt zgjerimit të bazës së klientëve dhe rritjes së eficiencës. Drejtori Menaxherial, Eris Jaçaj, thekson se sfida kryesore nuk është më prodhimi me kosto më të ulët, por prodhimi më i shpejtë dhe më eficient.
Cilat janë ndikimet kryesore që ka ndier industria juaj, duke pasur parasysh zhvillimet e jashtme dhe të brendshme? A keni vijuar me planet tuaja të zgjerimit?
Vitin e kaluar kishim planifikuar dhe arritur si zgjerim, ashtu edhe rritje. Kjo rritje ka ardhur si nga klientë të rinj, ashtu edhe nga klientë ekzistues, të cilët kanë marrëveshje me qeveri apo kontrata që gjenerojnë kërkesa periodike. Pra, kemi parë rritje të kërkesës, si nga baza aktuale e klientëve, ashtu edhe nga partneritete të reja. Ne nuk jemi fokusuar vetëm te klientët e përhershëm, por kemi punuar vazhdimisht për të zgjeruar portofolin e kompanive me të cilat bashkëpunojmë. Kjo na ka ndihmuar të ruajmë një trend të qëndrueshëm rritjeje në kërkesë.
Sa u përket kostove, ndikimin më të drejtpërdrejtë po e ndiejmë te kostot operacionale. Ne jemi një kompani me volume të konsiderueshme logjistike, të cilat përkthehen automatikisht në kosto më të larta transporti. Efekti u ndie menjëherë pas muajit të parë. Duke qenë se kemi marrëdhënie afatgjata me furnitorët, ata përballuan fillimisht një pjesë të kostos, por më pas kjo u reflektua drejtpërdrejt te ne. Kësaj situate iu shtua edhe zhvlerësimi i Euros, një tjetër faktor me ndikim të madh, dhe situata vazhdon të mbetet e paqartë. Kjo na prek drejtpërdrejt sepse operojmë me volume të mëdha në Euro, ndaj edhe ndikimi në afatgjatë është i rëndësishëm për ne.
Në vende të tjera ku operon kompania, si për shembull Turqia apo Ukraina, zhvlerësimi i monedhës lokale shpesh kompenson rritjen e kostove. Te ne ndodh e kundërta: kostot e brendshme rriten; për shembull, në fillim të vitit u rrit paga minimale, ndërkohë që Euro zhvlerësohet. Kjo krijon një situatë disi paradoksale dhe ka qenë një nga sfidat më të mëdha gjatë kësaj periudhe. Fillimisht menduam se rënia e Euros do të stabilizohej në një nivel të caktuar, por tashmë kursi ka zbritur deri në 95 lekë. Të gjithë këta faktorë të kombinuar kanë krijuar një rritje totale të kostove prej rreth 40%, ndërkohë që klientët nuk e pranojnë lehtësisht një nivel të tillë rishikimi të kostove. Kontratat tona me klientët zakonisht lidhen për seri prodhimi me afat deri në pesë vite. Edhe nëse parashikon koeficientë sigurie, është shumë e vështirë të mbulosh kaq shumë faktorë të paparashikueshëm, siç ishte edhe lufta e fundit.
Ju përmendët zgjerimin. Ku konsiston konkretisht zgjerimi?
Aktualisht jemi zgjeruar kryesisht në bazën e klientëve dhe në volumin e punës. Për sa i përket sipërfaqes fizike, ende nuk kemi ndërmarrë një hap konkret, megjithëse është pjesë e planeve tona. Për momentin po shfrytëzojmë kapacitetet ekzistuese duke shtuar gradualisht turnin e dytë. Edhe stafi është zgjeruar. Nga rreth 900–1000 punonjës që kishim më parë, sot kemi arritur në rreth 1150. Rritja po vazhdon gradualisht, si nga klientët ekzistues, ashtu edhe nga klientë të rinj. Ne kemi ende hapësira të pashfrytëzuara në fabrikë dhe po i mbushim gradualisht me kapacitete të reja prodhuese.
Megjithatë, planet për zgjerim i kemi vendosur disi në pritje, për shkak të situatës globale dhe zhvillimeve jashtë kontrollit tonë, fillimisht lufta në Ukrainë, më pas tensionet në Lindjen e Mesme, çështja e Ngushticës së Hormuzit dhe politika amerikane. Klima e pasigurisë ndihet në të gjitha industritë. Si rezultat, na është dashur të rishikojmë më shpesh buxhetet dhe planet tona. Për shembull, buxheti i miratuar në nëntor u rishikua që në mars, për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe efekteve që ato prodhuan. Besoj se kjo është një situatë me të cilën po përballen shumë kompani sot.
A keni pasur lëvizje të forcës punëtore apo kemi një situatë më të stabilizuar?
Vitin e kaluar përjetuam një nivel shqetësues lëvizjeje në staf dhe morëm disa masa konkrete. Sot mund të them se jemi në një situatë shumë më të stabilizuar. Dy ose tre vite më parë kishim raste kur punonjësi largohej nga puna dhe të nesërmen nuk paraqitej më fare. Ishte një fenomen i përhapur në treg. Sot situata është ndryshe. Në administratën tonë, por edhe falë reputacionit të mirë që kemi ndërtuar si markë, nuk kemi pasur lëvizje të mëdha stafi. Mundohemi të ofrojmë kushte mbi mesataren, si për administratën, ashtu edhe për punonjësit direkt në prodhim, duke respektuar Kodin e Punës dhe duke aplikuar lehtësira të lidhura me produktivitetin, edhe pse vetë industria ka kufizimet e saj. Në kompani me kaq shumë punonjës, ku komponenti kryesor i kostos është paga, çdo lëvizje ka ndikim shumë të ndjeshëm. Ne përpiqemi të bëjmë maksimumin brenda mundësive që kemi.
A e ka lehtësuar gjetjen e punonjësve mbyllja apo tkurrja e industrisë fason të veshjeve dhe të këpucëve?
Fakti që ne kemi vazhduar të zgjerohemi gjatë kësaj periudhe lidhet edhe me tkurrjen e industrisë tradicionale fason, me të cilën kemi një konkurrencë indirekte për fuqinë punëtore. Mbyllja e disa prej këtyre kompanive çliroi një pjesë të forcës së punës dhe kjo e bëri më të lehtë për ne procesin e rritjes dhe rekrutimit.
Çfarë ofron sot kuadri ligjor shqiptar si mbështetje për këtë industri, veçanërisht në aspektin fiskal?
Lehtësia kryesore që kemi është tatimfitimi prej 5%. Është aplikuar edhe incentiva për rritjen e pagës minimale, por ne kemi shumë pak punonjës në këtë kategori page, ndaj efekti financiar për ne është pothuajse i papërfillshëm.
Si e shihni vitin 2026? Nga sa kuptojmë, pritshmëritë mbeten pozitive…
Po, perspektiva mbetet pozitive. Kemi klientë të rinj, veçanërisht në segmentin e makinerive të rënda. Gjithashtu po tentojmë të hyjmë në segmentin e “mobile life”, pra camper van, që është një sektor i afërt me industrinë tonë, por që deri më tani nuk ka qenë pjesë e fokusit tonë kryesor. Kemi filluar të marrim kërkesat e para për komponentë elektrikë në këtë segment dhe kjo na hap një tjetër drejtim zhvillimi.
A është ky segment me vlerë më të shtuar?
Jemi ende në fazat fillestare. Te ne, puna llogaritet kryesisht në bazë të orëve të punës dhe mënyra operative mbetet e ngjashme. Megjithatë, ka rëndësi strategjike, sepse ndihmon në ruajtjen e bazës sonë të prodhimit dhe në vazhdimin e rritjes.
Çfarë rritjeje prisni për këtë vit, duke pasur parasysh situatën aktuale?
Deri në periudhën para vjeshtës presim rritje deri në 5%. Duhet marrë parasysh që vera sjell zakonisht ngadalësim, për shkak të lejeve vjetore, ndërsa aktiviteti kryesor intensifikohet gjatë vjeshtës.
A është ende Shqipëria aq tërheqëse sa dikur për investime?
Varet shumë nga industria që vjen. Nëse bëhet fjalë për industri që fokusohen kryesisht te kostoja, Shqipëria nuk ka më një avantazh të fortë konkurrues. Sot duhet të flasim për industri me vlerë të shtuar më të lartë dhe që kanë avantazh në kohën e dorëzimit. Në terma kostosh, diferenca jonë me Europën Qendrore nuk është më shumë e madhe. Për shembull, ne sot nuk konkurrojmë më me kosto, por me produktivitet dhe shpejtësi dorëzimi. Prodhimi në Shqipëri nuk bëhet më sepse është më i lirë, por sepse mund ta dorëzojmë më shpejt, ose ta prodhojmë më me eficiencë se tregje të tjera.
“`
