Sfida të rënda për industrinë shqiptare

Lufta dhe Euro po rrisin presionin mbi industrinë, tregu më i paparashikueshëm

Në një intervistë për “Monitor”, Ertjan Çabiri, Drejtor Menaxherial i “Delmon Group Shqipëri”, shprehet se konfliktet gjeopolitike dhe zhvlerësimi i Euros po krijojnë një presion të shtuar mbi industrinë prodhuese shqiptare. Kompanitë përballen me kosto më të larta dhe një mjedis tregu gjithnjë e më të vështirë për t’u parashikuar.

Sipas zotit Çabiri, sfida kryesore për kompanitë nuk është rënia e kërkesës, por pasiguria që karakterizon tregjet ndërkombëtare, e cila e bën planifikimin afatgjatë jashtëzakonisht kompleks. Ai thekson se lufta, kostot e transportit dhe kursi i këmbimit po ndikojnë në konkurrueshmërinë e industrisë dhe vendimet e investimit.

Ndikimet e jashtme dhe të brendshme në vitin 2026

Zoti Çabiri parashikon se viti 2026 do të ndikohet nga dy faktorë kryesorë. Nga njëra anë, është vënë re një rënie e kërkesës së buxhetuar nga klientët aktualë, rreth 8-9%. Megjithatë, elementi më shqetësues mbetet paparashikueshmëria e tregut global, e cila e bën të vështirë planifikimin afatgjatë. Tregu po lëviz me ritme të paqëndrueshme.

Nga ana tjetër, kostot po rriten dukshëm. Çmimi i naftës ka ndikuar drejtpërdrejt në kostot e transportit, ndërsa shtrenjtimi i lëndëve të para në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare ka rritur edhe kostot e prodhimit. Për Shqipërinë, faktorë specifikë negativë përfshijnë rritjen e pagës minimale dhe zhvlerësimin gradual të Lekut. Këto zhvillime e bëjnë Shqipërinë më pak tërheqëse për investime, duke mos krijuar avantazhe konkurruese të qarta.

Sfida e fuqisë punëtore

Një nga shqetësimet kryesore për kompanitë, veçanërisht në sektorin automotiv, është mungesa e fuqisë punëtore. Ndërkohë që ka pasur stabilitet mes punëtorëve dhe operatorëve në dy-tre vitet e fundit, niveli administrativ dhe menaxherial është destabilizuar. Shumë menaxherë janë larguar drejt Gjermanisë dhe Italisë, duke e bërë të vështirë zëvendësimin e tyre. Tregu nuk ofron staf të gatshëm, duke i detyruar kompanitë të marrin punonjës nga njëra-tjetra, çka krijon një situatë të paqëndrueshme të pagave.

Strategjia e “Delmon Group Shqipëria” për të përballuar këtë sfidë është promovimi dhe trajnimi i stafit brenda kompanisë, për të siguruar vazhdimësi dhe për të zhvilluar kapacitetet menaxheriale.

Potenciali i “nearshoring” dhe investimet

Zoti Çabiri beson se në afatin e mesëm dhe të gjatë, nisma e “nearshoring” (afruarja e zinxhirëve të furnizimit në Europë) do të ketë një ndikim pozitiv. Kompanitë kineze po hapin fabrika montimi në Europë për të shmangur tarifat e larta të importit, duke i detyruar të furnizohen me komponentë nga brenda Europës. Ky trend mund të krijojë mundësi bashkëpunimi edhe për prodhimin e komponentëve.

Pritshmëritë për këtë vit dhe rolin e kompanive kineze

Pavarësisht sfidave, “Delmon Group Shqipëria” ka parashikime pozitive për këtë vit, me plane tremujore. Kompania ka nisur një bashkëpunim me një firmë franceze për furnizimin e sistemeve elektrike për BMW, duke prodhuar komponentë për modelin BMW iX3. Përveç Polonisë, pritet të furnizojë edhe Kinën dhe Meksikën, duke dëshmuar kështu ndërkombëtarizimin e prodhimit.

Panorama globale tregon se automjetet elektrike kineze po fitojnë terren, por tarifat doganore po shtyjnë kompanitë kineze, si BYD, të investojnë në Europë, madje duke kërkuar edhe bashkëpunime me prodhues të njohur si Volkswagen.

Scroll to Top