Dera gjysmë e hapur e BE-së për Ballkanin: Cili shtet do të hyjë i pari?
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor po ndjekin ritme të ndryshme drejt integrimit në Bashkimin Europian. Mali i Zi dhe Shqipëria udhëheqin garën e zgjerimit, ndërsa Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Kosova përballen me pengesa politike dhe institucionale që mund ta zgjasin procesin për shumë vite.
Edhe në skenarin më optimist, rajoni do t’i duhen dekada për të arritur standardet europiane në ekonomi, arsim, shëndetësi, qeverisje dhe infrastrukturë. Sfidat kryesore nuk lidhen vetëm me hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Produktiviteti i ulët, infrastruktura e dobët, korrupsioni, emigracioni dhe cilësia e arsimit mbeten pengesat më të mëdha që ndajnë rajonin nga standardet e BE-së.
Nga Blerina Hoxha (Shqipëri), Naida Kurdija (Bosnjë Hercegovinë), Sefer Zogaj (Kosovë), Aneta Dodevska (Maqedoni e Veriut), Ana Milosavljević (Serbi) dhe Ivan Ivanoviç (Mali i Zi), në një projekt të mbështetur nga GIZ dhe #SustainMedia, analizohet shpejtësia e integrimit të Ballkanit Perëndimor.
Që nga 1 korriku 2013, kur Kroacia u bë anëtarja e 28-të e BE-së, dera e zgjerimit ka mbetur formalisht e hapur për gjashtë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, procesi i integrimit është bërë më i rreptë, ndërsa vendet vazhdojnë të përballen me konflikte etnike dhe një hendek të madh në standardet ekonomike dhe të qeverisjes me BE-në.
Projekti i dikurshëm i anëtarësimit të rajonit si një bllok është shpërbërë, teksa vendet po përparojnë me ritme të ndryshme:
- Mali i Zi ka premisa të bëhet anëtar më shpejt se vendet e tjera. Ka hapur negociatat dhe ka mbyllur përkohësisht 16 nga 33 kapitujt, me ambicien zyrtare të anëtarësimit në vitin 2028, një objektiv i mbështetur edhe politikisht nga Brukseli. Megjithatë, pas progresit teknik fshihen probleme si sundimi i ligjit, korrupsioni dhe politizimi i institucioneve, duke rrezikuar një anëtarësim formal pa përparim të dukshëm në standardet ekonomike.
- Shqipëria ka shënuar përparimin më të shpejtë gjatë dy viteve të fundit. Në qershor 2026, vendi ka hyrë zyrtarisht në fazën e mbylljes së negociatave, pasi ka hapur të gjithë kapitujt. Objektivi i qeverisë është mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe anëtarësimi rreth vitit 2030. Sfidë kryesore mbetet zbatimi i standardeve europiane, pasi vetëm 10-15% e sipërmarrjeve shqiptare konsiderohen të gatshme për konkurrencën europiane.
- Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar nga kriteret politike. Dy dekada pas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Marrëveshjes së Prespës, vendi ende nuk ka nisur negociatat për shkak të kërkesës për ndryshime kushtetuese që përfshijnë të drejtat e komunitetit bullgar. Kjo ka krijuar një ngërç politik, ku Brukseli këmbëngul te ndryshimet kushtetuese, ndërsa Shkupi kërkon garanci për të mos u përballur me veto të reja.
- Serbia vazhdon negociatat, por me ritëm të ngadaltë. Nga 35 kapituj, vetëm 22 janë hapur dhe dy janë mbyllur përkohësisht. Pengesat kryesore mbeten normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, sundimi i ligjit dhe mos harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së, veçanërisht lidhur me Rusinë. Megjithatë, Serbia është thellësisht e integruar ekonomikisht me BE-në, duke krijuar një situatë “gjysmë-anëtarësimi”. Synon anëtarësimin rreth vitit 2035.
- Kosova mbetet më larg anëtarësimit. Dhjetë vjet pas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ajo ende nuk ka statusin e vendit kandidat. Përveç reformave të brendshme, pengesa kryesore është mosnjohja nga pesë shtete anëtare të BE-së dhe dialogu me Serbinë. Megjithëse ka bërë hapa në fusha si SEPA dhe Plani i Rritjes, rruga drejt anëtarësimit mbetet e bllokuar.
- Bosnjë-Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2022 dhe miratimin politik për hapjen e negociatave në vitin 2024. Megjithatë, procesi mbetet i kushtëzuar nga reformat institucionale dhe mungesa e mekanizmave efikase për planifikimin dhe koordinimin e fondeve të BE-së.
Mali i Zi: Kryeson garën, por ka ende shumë punë përpara
Qeveria malazeze synon anëtarësimin në BE në vitin 2028, por ekspertët mbeten skeptikë për mungesën e progresit thelbësor dhe reformave strukturore. Ka rrezikun e një “anëtarësimi në letër”, pa përmirësime reale për qytetarët. Që nga hapja e negociatave në 2012, Mali i Zi ka mbyllur 16 nga 33 kapitujt. Synimi është finalizimi i kapitujve të mbetur deri në fund të 2026-ës.
Shqipëria në fazën vendimtare, nga hapja e kapitujve te prova e zbatimit
Shqipëria ka hyrë në fazën më të avancuar të integrimit europian, duke hapur të gjithë 33 kapitujt. Fokusi tani është te zbatimi konkret i reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, kapitujt 23 dhe 24. Qeveria angazhohet të mbyllë 10 kapitujt e parë deri në vitin 2026, me synim mbylljen e negociatave deri në fund të 2027-ës dhe anëtarësimin rreth vitit 2030.
Anëtarësimi i ngecur i Serbisë në BE, si një marrëveshje politike
Synimi zyrtar për anëtarësim në BE për Serbinë është rreth vitit 2035. Nga 35 kapituj negociues, vetëm 22 janë hapur dhe dy janë mbyllur përkohësisht. Pengesat kryesore janë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, harmonizimi i politikës së jashtme dhe reformat në sundimin e ligjit. Serbia përfiton nga statusi aktual me BE-në, duke krijuar një “gjysmë-anëtarësimi”.
Maqedonia e Veriut, 22 vite në “portën” e BE-së, ndryshimet kushtetuese pengesa
22 vite pas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Maqedonia e Veriut nuk ka nisur ende bisedimet e anëtarësimit. Bllokimi lidhet me refuzimin e qeverisë aktuale për të zbatuar ndryshimet kushtetuese që përfshijnë komunitetin bullgar, duke polarizuar shoqërinë.
Bosnjë-Hercegovina, mes Brukselit dhe bllokadave të brendshme
Integrimi europian gëzon mbështetje pothuajse universale në Bosnjë-Hercegovinë, por rruga drejt BE-së karakterizohet nga kontrasti mes retorikës dhe veprimeve konkrete. Pas marrjes së statusit të kandidatit në 2022 dhe miratimit për hapjen e negociatave në 2024, vendi përballet me pengesa strukturore dhe mungesë të reformave institucionale.
Integrimi i Kosovës në BE, vetëm në horizont
Tetë vite pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, Kosova ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për BE. Megjithëse aplikoi në 2015, marrëdhëniet me BE-në u bënë komplekse pas masave ndëshkuese të vendosura në 2023, duke shkaktuar humbje financiare të konsiderueshme.
