Stili i jetesës po rrit vdekshmërinë nga sëmundjet endokrine, diabeti mbetet shkaku kryesor
Ndërkohë që numri total i vdekjeve ka shënuar një rënie, ato nga sëmundjet endokrine dhe të të ushqyerit janë rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave nga INSTAT, vitin e kaluar u regjistruan 241 vdekje nga këto kategori, çka përfaqëson një rritje prej 15.3% në krahasim me vitin 2024. Kjo kategori përfshin sëmundjet e sistemit endokrin, çrregullimet metabolike dhe ato të lidhura me ushqyerjen, ku diabeti dhe komplikacionet e tij janë më të zakonshmet.
Rritja më e theksuar në numër u shënua në Elbasan, ku vdekjet u shtuan nga 14 në vitin 2024 në 25 raste vitin e kaluar. Vlora gjithashtu pati një rritje të dukshme, nga 4 në 14 raste, ndërsa Durrësi shënoi 20 raste në vitin 2025, nga 13 në vitin 2024. Rritje u regjistruan edhe në Dibër, Gjirokastër dhe Fier.
Në përqindje, rritja më e lartë u shënua në Vlorë, me 250%, por kjo lidhet edhe me bazën e ulët të krahasimit nga viti 2024. Rritje të forta në përqindje patën edhe Gjirokastra me 85.7%, Elbasani me 78.6%, Dibra me 60% dhe Durrësi me 53.8%.
Pavarësisht një rënieje prej 11.1%, Tirana vijoi të kishte numrin më të lartë të vdekjeve nga kjo kategori, me 48 raste në vitin 2025. Pas saj renditen Fieri me 37 raste, Elbasani me 25, Korça me 21 dhe Durrësi e Shkodra me nga 20 raste secila.
Në disa qarqe, vdekjet shënuan rënie. Berati regjistroi 17 vdekje, nga 20 një vit më parë. Lezha ra nga 9 në 7 raste, Kukësi nga 4 në 3 raste, ndërsa Tirana nga 54 në 48 raste. Në Korçë dhe Shkodër numri i vdekjeve mbeti i pandryshuar.
Të dhënat tregojnë se sëmundjet endokrine dhe metabolike, veçanërisht diabeti, po bëhen një barrë e madhe për shëndetin publik. Rritja e vdekjeve në nivel kombëtar sinjalizon nevojën për kontroll më të mirë të sëmundjeve kronike, diagnostikim të hershëm dhe ndjekje më të rregullt të pacientëve me çrregullime metabolike.
Vdekjet nga sëmundjet endokrine dhe të të ushqyerit lidhen në pjesën më të madhe me diabetin dhe komplikacionet që ai shkakton. Kjo kategori përfshin gjithashtu sëmundjet e gjëndrës tiroide, çrregullimet metabolike dhe probleme të tjera hormonale, por diabeti përbën shkakun dominues të vdekshmërisë.
Rritja e numrit të vdekjeve nga këto sëmundje zakonisht shpjegohet me disa faktorë që veprojnë njëkohësisht. Një ndër më të rëndësishmit është plakja e popullsisë, pasi diabeti dhe çrregullimet metabolike janë më të shpeshta në moshat e mëdha. Gjithashtu, shtimi i mbipeshës dhe obezitetit, ushqyerja jo e shëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik kanë çuar në rritjen e rasteve me diabet tip 2 në vendin tonë.
Një rol të rëndësishëm luajnë edhe komplikacionet e sëmundjes. Shumë pacientë nuk humbasin jetën nga diabeti në vetvete, por nga pasojat që ai shkakton në organizëm, si sëmundjet kardiovaskulare, dëmtimi i veshkave, goditjet në tru apo infeksionet e rënda. Rreziku rritet edhe kur sëmundja diagnostikohet me vonesë ose nuk mbahet nën kontroll përmes trajtimit dhe monitorimit të vazhdueshëm.
Të dhënat tregojnë se vdekjet nga sëmundjet endokrine dhe të të ushqyerit u rritën me 15.3% krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar shtimin e rasteve të diabetit, plakjen e popullsisë dhe përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve.
