“`html
Rama inspekton stadiumin ku do të performojë Kanye West: Shteti nuk ka harxhuar dhjetëra milionë euro siç pretendojnë kundërshtarët, ata nga bota nuk janë budallenj që… (VIDEO)
Kryeministri Edi Rama ka inspektuar stadiumin që po ndërtohet për performancën e këngëtarit me famë botërore, Kanye West. Gjatë inspektimit, ai iu referua akuzave të bëra publikisht, duke theksuar se shteti shqiptar nuk ka harxhuar dhjetëra milionë euro, siç pretendohet.
Rama shtoi se për këtë koncert janë shitur më shumë bileta sesa për finalen e Conference League, e cila u zhvillua katër vite më parë në Tiranë.
“Ky është një event tërësisht privat. Partnerë që kanë marrë përsipër këtë ndërmarrje të madhe. Shteti shqiptar është detyruar të ndërhyjë vetëm dje për të dhënë, jo dhjetëra miliona euro siç thonë ata që flasin kot, por 4 milionë euro për të garantuar që mijëra njerëz që kanë blerë bileta nga Europa, SHBA, Australia, nga 80 shtete dhe janë më shumë sesa ata që blenë biletat për finalen e Conference League.
Nëse ky event do të paralizohej, do të ishte një mundësi ekonomike e humbur për kryeqytetin. Ato mijëra njerëz sjellin një ndikim pozitiv. Ajo finalja e Conference League solli një bum turistësh nga Holanda dhe Italia. Bota nuk janë budallenj që organizojnë evente të tilla. Këto janë investime për një Shqipëri tjetër që nuk ndalet, të ngrihen ata që duan përparimin”, u shpreh Rama.
“`
