“`html
Dështimi i tenderit për Porto Romanon, qeveria shkurton fondin prej 167 milionë eurosh të planifikuar këtë vit
Pasiguria dhe dështimi i procedurave tenderuese për fazën e parë të portit të ri në Porto Romano kanë sjellë një ndryshim të theksuar në buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në aktin normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2026, fondet e dedikuara për transportin detar janë shkurtuar thuajse tërësisht, duke refektuar drejtpërdrejt bllokimin e këtij projekti strategjik.
Buxheti për këtë zë ka pësuar një shkurtim të ndjeshëm prej 98.4%, duke zbritur nga 14.9 miliardë lekë në vetëm 247 milionë lekë. Ky ndryshim vjen si pasojë e zhvillimeve të fundit negative. Më 9 mars 2026, tenderi për fazën e parë u anulua pasi kompania e vetme në garë, Archirodon, u tërhoq nga procesi pa dorëzuar ofertën financiare. Tërheqja e kompanisë u argumentua me rritjen e kostove të ndërtimit për shkak të pasigurisë globale, ndërsa procesi u shoqërua gjithashtu nga gjetje mbi mangësi në dokumentacionin e tenderit.
Aktualisht, projekti është nën shqyrtim nga SPAK, i cili ka sekuestruar dokumentacionin pranë Autoritetit Portual të Durrësit për të verifikuar ligjshmërinë e procedurave të deritanishme. Planet fillestare kishin parashikuar përfundimin e fazës së parë të portit brenda vitit 2025, një objektiv që tashmë ka dështuar.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur se nuk ka një afat të ri për projektin, pasi po vlerësohet një plan i ri. Ndërkohë që qeveria ndodhet në proces bisedimesh për t’i dhënë zgjidhje këtij projekti strategjik, shkurtimi i fondeve në buxhetin e shtetit dëshmon se realizimi i këtij porti mbetet një sfidë.
Projekti i portit të ri tregtar në Porto Romano është planifikuar si një investim me vlerë për fazën e parë prej rreth 400 milionë euro (pa TVSH). Financimi i këtij projekti është parashikuar të mbulohet nga buxheti i shtetit. Gjithashtu, projekti parashikon krijimin e një porti të integruar që përfshin terminale, magazina, qendra shpërndarjeje dhe shërbime me vlerë të shtuar, duke u lidhur me Korridorin VIII dhe rrjetet hekurudhore që lidhin Shqipërinë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe rajonin më të gjerë.
Pjesë e vizionit strategjik, pas kërkesave të qeverisë shqiptare drejtuar NATO-s, është edhe integrimi i një baze ushtarake të Aleancës brenda këtij porti. Zhvendosja e terminalit tregtar në Porto Romano është e lidhur me planet e qeverisë për të shndërruar portin aktual të Durrësit në një qendër të rëndësishme turistike dhe rezidenciale.
Projekti “Durrës Yachts & Marina” zhvillohet nga kompania “Durrës Marina” sh.a., një ndërmarrje e krijuar si një partneritet publik-privat, ku shteti shqiptar zotëron 33% të aksioneve. Investitori kryesor privat pas këtij projekti është Mohamed Alabbar, biznesmeni nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili operon përmes kompanisë Eagle Hills Real Estate Development.
Ndërkohë që vonesat dhe dështimi i proceseve tenderuese në Porto Romano po shtojnë rrezikun për zbatimin e planeve fillestare, porti aktual mbetet funksional për tregtinë e mallrave për shkak të mungesës së një alternative. Si pasojë, projektet turistike në zonën e portit të vjetër do të mbeten të bllokuara. Pavarësisht se kapaciteti për përpunimin e mallrave po rritet dhe investimet në Korridorin VIII po vazhdojnë, ndërtimi i Portit të Ri ka mbetur pezull.
“`
