“`html
Qeveria rriti me 108 milionë euro buxhetin për mbrojtjen e vendit
Në kuadër të rishikimeve të buxhetit për vitin 2026, buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes është rritur ndjeshëm krahasuar me planifikimin fillestar. Pjesa dërrmuese e fondeve shtesë janë orientuar drejt programit “Forcat e Luftimit”.
Sipas të dhënave zyrtare, fondet totale të Ministrisë së Mbrojtjes janë rritur nga rreth 58.95 miliardë lekë në 69.23 miliardë lekë. Kjo shtesë arrin në 10.29 miliardë lekë, që përfaqëson një rritje prej 17.4% krahasuar me buxhetin fillestar.
Rritja më e madhe në vlerë absolute është regjistruar në programin “Forcat e Luftimit”. Financimi i këtij programi është rritur nga 31.39 miliardë lekë në rreth 40.4 miliardë lekë, me një shtesë prej më shumë se 9 miliardë lekësh. Në terma përqindjeje, buxheti për Forcat e Luftimit është zgjeruar me 28.7%. Rreth 88% e gjithë shtesës së akorduar për Ministrinë e Mbrojtjes është përqendruar pikërisht në këtë program, duke treguar se forcimi i kapaciteteve luftarake përbën prioritetin kryesor të rishikimit buxhetor.
Pas këtyre ndryshimeve, programi “Forcat e Luftimit” përfaqëson rreth 58% të gjithë buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes. Pritet që rritja e fondeve të krijojë më shumë hapësirë për investime në pajisje, armatim, teknologji, infrastrukturë dhe rritjen e gatishmërisë operacionale.
Edhe programi “Mbështetja e Luftimit” ka përfituar financim shtesë. Buxheti i tij është rritur nga 11.16 miliardë lekë në 12.03 miliardë lekë, ose me rreth 877 milionë lekë. Në terma relativë, rritja është 7.9%.
Rritja më e lartë në përqindje është regjistruar në programin “Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi”. Fondet për këtë program janë shtuar me 1.1 miliardë lekë, duke arritur në 2.62 miliardë lekë, ose 72.9% më shumë se planifikimi fillestar.
Në drejtim të kundërt ka lëvizur financimi për arsimin ushtarak. Buxheti i programit “Arsimi Ushtarak” është ulur nga rreth 1.76 miliardë lekë në 1 miliard lekë. Ky shkurtim arrin në 754 milionë lekë, ose 42.9%. Shkurtimi për këtë zë vjen në një kohë kur forcat e luftimit janë në emergjencë për specialistë, pasi shumë pajisje dhe makineri të blera nuk mund të përdoren për shkak të mungesës së njohurive të mjaftueshme te punonjësit aktualë.
Mbështetja për shëndetësinë në ushtri, me ndryshimet buxhetore, është rritur lehtë, me 50 milionë lekë, duke e çuar fondin total në rreth 2.18 miliardë lekë. Ndërkohë, fondet për mbështetjen sociale të ushtarakëve, në nivelin 5.2 miliardë lekë, dhe ato për emergjencat civile, prej 5.79 miliardë lekësh, kanë mbetur të pandryshuara.
Në këtë kontekst, rishikimi i buxhetit dhe përqendrimi i fondeve te Forcat e Luftimit përbëjnë edhe një sinjal politik ndaj aleatëve se Shqipëria po përpiqet të përshpejtojë përmbushjen e angazhimeve të saj.
“`
