Dogana Shqiptare harmonizohet me standardet e BE-së

Administrata Doganore po punon për harmonizimin e sistemeve IT me standardet e BE-së

Në kuadër të zbatimit të Strategjisë së Modernizimit dhe Harmonizimit të Sistemeve të Informacionit Doganor Shqiptar me Bashkimin Europian, përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare, së bashku me ekspertët e UNCTAD (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim), z. Dmitry Godunov, Koordinator Rajonal për Euro-Azinë dhe z. Constantin Ciuta, Menaxher Projekti, po zhvillojnë një workshop të dedikuar për sistemin e ri ASY-5 dhe zhvillimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Në fokus të diskutimeve është hartimi i Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë së IT-së. Ky plan përbën një nga kërkesat kryesore (benchmark) të Drejtorisë së Përgjithshme për Taksat dhe Bashkimin Doganor të Komisionit Europian (DG TAXUD) në kuadër të procesit të negociatave për Kapitullin 29 – Bashkimi Doganor.

Ekspertët e UNCTAD vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin shumëvjeçar me Administratën Doganore Shqiptare, duke e konsideruar atë një bazë të rëndësishme për zhvillimin e sistemeve të reja të teknologjisë së informacionit sipas standardeve të Bashkimit Europian.

Gjithashtu, u theksua rëndësia e ndërveprimit dhe integrimit të projekteve strategjike, siç janë:

  • Sistemi i Tranzitit (NCTS)
  • Tarifa e Integruar Doganore (TARIC)
  • Dritarja e Vetme Doganore (National Single Window)

Këto integrime synojnë ofrimin e shërbimeve të koordinuara për biznesin dhe institucionet.

Nga ana e Administratës Doganore Shqiptare u nënvizua rëndësia e ndërtimit të një infrastrukture moderne të teknologjisë së informacionit, të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian. Zhvillimi i këtyre sistemeve, duke shfrytëzuar edhe teknologjitë e inteligjencës artificiale, do të kontribuojë në lehtësimin e tregtisë, përmirësimin e analizës së riskut, uljen e kostove dhe kohës së përpunimit të deklaratave doganore, si dhe në avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në tregun e përbashkët europian.

Scroll to Top