Aeroporti Ndërkombëtar i Palm Beach mban tashmë emrin e Donald Trump
Aeroporti Ndërkombëtar i Palm Beach, në Florida, është riemërtuar zyrtarisht në “President Donald J. Trump International Airport”. Ky vendim shihet si një gjest mbështetjeje ndaj presidentit amerikan, i cili ka zgjedhur Floridën si vendbanimin e tij, ku ndodhet edhe rezidenca Mar-a-Lago.
Gjatë ceremonisë së riemërtimit, Eric Trump, djali i presidentit, u shpreh se nuk beson se ekziston një person më i lidhur me Palm Beach sesa Donald Trump.
Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, emri i Donald Trump është përdorur për një sërë institucionesh dhe nismash federale. Këto përfshijnë një klasë të planifikuar anijesh luftarake, një program vizash për investitorët e huaj, një faqe qeveritare për ilaçet me recetë dhe një program federal llogarish kursimi për fëmijët.
Sipas autoriteteve, ndryshimi i emrit të aeroportit ka hyrë tashmë në fuqi. Kodi tradicional PBI do të vazhdojë të përdoret për rezervimet deri në përfundimin e tranzicionit, ndërsa më pas pritet të zëvendësohet me DJT në sistemet përkatëse.
Ky vendim ka ngjallur reagime të ndryshme në SHBA. Mbështetësit e tij e kanë cilësuar atë si një vlerësim për lidhjen e Trump me Floridën dhe Palm Beach. Ndërkohë, kritikat e konsiderojnë të papërshtatshme emërtimin e një aeroporti publik me emrin e një presidenti ende në detyrë.
