Kompensimi 10% i TVSH për fermerët, përpunuesit sqarojnë kushtet për autofaturat
Që prej 1 korrikut, fermerët kanë filluar të aplikojnë në e-Filing për të përfituar kompensimin 10% të TVSH-së, bazuar në autofaturat e lëshuara nga përpunuesit apo grumbulluesit.
Kushtet kryesore për aplikim janë:
- Të jetë i pajisur me NIPT (Numër Identifikimi për Personat Fizikë).
- Të identifikojë në sistem autofaturat e periudhës janar-qershor.
Pas identifikimit të autofaturave, sistemi do të llogarisë automatikisht shumën totale të tyre dhe shumën e kompensimit prej 10%.
Përpunuesit sqarojnë kushtet për lëshimin e autofaturave dhe përfshirjen e fermerëve në skemën e kompensimit të TVSH-së. Sipas tyre, fermeri duhet të jetë i pajisur me NIPT dhe produktet që dorëzohen tek ata për shitje, për të cilat lëshohen autofatura, duhet të plotësojnë standardet e kërkuara.
Taulant Pupa, përfaqësues i sektorit të përpunuesve të qumështit, shpjegon se skema zbatohet për produktet bujqësore dhe blegtorale që fermerët shesin te grumbulluesit ose agropërpunuesit përmes autofaturimit.
“Bëhet fjalë për të gjitha produktet bujqësore dhe blegtorale që janë shitur me autofaturë te një grumbullues apo agropërpunues. Me emra konkretë janë shumë produkte, si misër, grurë, elb, qumësht, zarzavate, por edhe produkte të tjera të fermës”, shprehet Pupa.
Sipas tij, në sektorin blegtoral përfshihet dhënia e autofaturave për blerjen e qumështit të papërpunuar. “Një përpunues nuk blen nga fermeri produkte të përpunuara nga qumështi, siç janë bulmeti, pasi nuk mund të blihet i tillë nga fabrika. Fabrika merr qumështin si lëndë të parë”, sqaron ai.
Kompensimi llogaritet në masën 10% të vlerës së faturës pa TVSH. Pupa sjell një shembull për llogaritjen e shumës së kompensimit bazuar në autofaturat e lëshuara për fermerin:
“Nëse fermeri ka shitur 1 ton domate me 100 lekë kilogrami, fatura shkon në vlerën e 100 mijë lekëve (faturat janë pa TVSH). Nga kjo shumë përfiton 10%, që i bie 10 mijë lekë”.
Sipas tij, nuk ka një kufi minimal të vlerës së autofaturave për të përfituar nga skema e kompensimit. “Edhe për vlera të ulëta të autofaturave do të përfitohet kompensimi. Mjafton autofatura. Kufiri lidhet kur fermeri kalon xhiron dhe hyn në një regjim tjetër tatimor”, thotë ai.
Ai shton se fermerët e përfshirë në këtë skemë duhet të kenë NIPT, të paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe të dorëzojnë produkte që plotësojnë standardet e kërkuara.
Deri tani, sipas të dhënave të administratës tatimore, kanë aplikuar 258 fermerë online në e-Filing për rimbursimin e TVSH-së 10% nëpërmjet vlerës së autofaturave të lëshuara nga grumbulluesit. Nga aplikimet kryesore, në proces shqyrtimi apo të miratuar janë 254 aplikime, me një vlerë kompensimi prej 735 mijë eurosh.
Aplikimet do të kryhen në e-Filing. Fermeri duhet të jetë i pajisur me NIPT dhe të verifikojë autofaturat që do t’i shfaqen në sistem.
Sipas udhëzuesit, fermerët e pajisur me NIPT, fillimisht duhet të identifikohen në e-Filing tek menuja “Çështje e re”, duke zgjedhur kërkesën “Për rimbursim të fermerëve”. Pas hyrjes në e-Filing, fermerët duhet të plotësojnë te rubrika “Detajet e bankës” të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN.
Pas plotësimit të kërkesës, në sistem fermerit do t’i shfaqen autofaturat e periudhës janar-qershor, të cilat duhet të identifikohen nga fermeri. Pas identifikimit të autofaturave, sistemi do të llogarisë automatikisht shumën totale të tyre dhe shumën e kompensimit 10%.
