SHBA: Irani nuk kontrollon Ngushticën e Hormuzit, rrugë ndërkombëtare

SHBA-ja insiston: Irani nuk e kontrollon Ngushticën e Hormuzit

Komanda Qendrore e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka përsëritur qëndrimin amerikan se Ngushtica e Hormuzit është një rrugë ujore ndërkombëtare, të cilën Irani nuk ka të drejtë ta kontrollojë. Komanda publikoi të enjten vonë një “verifikim faktesh” lidhur me pretendimet iraniane mbi këtë rrugë kyçe ujore.

“PRETENDIM: Media shtetërore iraniane pretendon se kalimi nëpër Ngushticën e Hormuzit lejohet vetëm përmes rrugëve të përcaktuara nga Irani”, shkroi CENTCOM në platformën X.

“E VËRTETA: Irani nuk e kontrollon Ngushticën e Hormuzit. Që nga fillimi i majit, forcat amerikane kanë ndihmuar në lehtësimin e kalimit të suksesshëm të mbi 800 anijeve tregtare dhe 380 milionë fuçive me naftë të papërpunuar përmes këtij korridori vital ndërkombëtar të tregtisë”, shtoi komanda amerikane.

Teherani ka deklaruar se do të vendosë tarifa për anijet që kalojnë përmes ngushticës, një sugjerim që është kundërshtuar nga shumica e vendeve të botës. Rreth 20 për qind e furnizimeve botërore me naftë të papërpunuar dhe gaz kalon përmes ngushticës, e cila është bërë pikë e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Irani praktikisht e kishte mbyllur krejtësisht Ngushticën e Hormuzit pas nisjes së sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Republikës Islamike më 28 shkurt.

Scroll to Top