Vodafone & Nokia: Rrjeti 5G i Ardhmërisë me AI

Vodafone Albania dhe Nokia prezantojnë të ardhmen e rrjetit 5G përmes “Network Slicing” të fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale

Vodafone Albania, në bashkëpunim me Nokia, ka prezantuar një zhvillim të ri në teknologjinë 5G, të njohur si “Network Slicing”. Ky koncept, i fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale, është zhvilluar nga Grupi Vodafone dhe konfirmon pozicionimin e Shqipërisë si treg i rëndësishëm në implementimin e teknologjive më të avancuara të konektivitetit.

E zhvilluar në partneritet me Nokia-n, kjo zgjidhje kombinon rrjetin 5G “Standalone” të Vodafone-it me kapacitetet e avancuara të inteligjencës artificiale. Kjo mundëson një menaxhim më inteligjent të burimeve të rrjetit dhe krijon bazat për një gjeneratë të re shërbimesh dixhitale me performancë, siguri dhe besueshmëri më të lartë.

“Inovacioni ka qenë gjithmonë në qendër të ambicies së Vodafone Albania për të ofruar përvojën më të mirë të mundshme të lidhjes dixhitale. Ndërsa kërkesa për shërbime dixhitale vazhdon të rritet, rrjetet inteligjente do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në ofrimin e një lidhjeje më elastike, më efikase dhe më të përshtatshme. Ky demonstrim pasqyron angazhimin tonë për të eksploruar teknologjitë që do të ndihmojnë në formësimin e së ardhmes së infrastrukturës dixhitale, duke forcuar njëkohësisht pozicionin e Shqipërisë si treg inovacioni brenda Grupit Vodafone,” u shpreh Balázs Révész, CEO i Vodafone Albania.

Roli i Inteligjencës Artificiale në këtë kombinim është të analizojë në të njëjtën kohë kushtet e rrjetit dhe informacionin nga bota reale. Kjo gjë do të rezultojë në autonomi për të marrë vendime që optimizojnë performancën në kohë reale, duke eliminuar nevojën për konfigurime të paracaktuara. Në vend të tyre, Inteligjenca Artificiale analizon rrjetin në kohë reale dhe rishpërndan burimet aty ku nevojitet më shumë. Kjo analizë ndihmon jo vetëm në identifikimin e mungesave të rrjetit, por mundëson edhe një lidhje interneti më fleksibël, të përshtatur sipas nevojës.

“Teknologjia Agentic AI sjell një nivel të ri inteligjence në ‘network slicing’. Duke kombinuar analizën e thelluar të rrjetit me të dhëna kontekstuale nga bota reale, ne mundësojmë rrjete që mund të nxjerrin përfundime, të vendosin dhe të veprojnë në mënyrë të pavarur. Së bashku me Vodafone Albania, po demonstrojmë se si kjo aftësi mund të hapë modele krejtësisht të reja shërbimi dhe të nxisë valën e ardhshme të inovacionit 5G,” nënvizoi Pallavi Mahajan, Chief Technology and AI Officer, Nokia.

Ky inovacion teknologjik në fushën e biznesit përfaqëson një hap domethënës drejt të ardhmes së lidhjes së internetit, duke dëshmuar se si inteligjenca artificiale do të bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e infrastrukturës së ekonomisë dixhitale. Shërbimet dixhitale vijojnë të zgjerohen dhe kërkesa për lidhje interneti rritet, duke bërë të nevojshme evolucionin e rrjeteve përtej thjesht transmetimit të trafikut. Në të ardhmen, brezi i ri i infrastrukturës celulare do të jetë në gjendje të kuptojë dhe optimizojë automatikisht performancën e rrjetit pa ndërhyrje manuale.

Prezantimi i “network slicing” me inteligjencë artificiale tregon se si rrjetet e së ardhmes mund t’i përgjigjen në mënyrë dinamike situatave të ndryshme, duke mbështetur aplikime të tilla si:

  • Lidhje e qëndrueshme për bizneset që operojnë shërbime kritike (mission-critical), siç mund të jenë aeroportet apo shërbime që kanë nevojë për siguri të lartë dhe koordinim të shpejtë.
  • Shpërndarje inteligjente e burimeve gjatë ngjarjeve të mëdha publike, si koncerte apo evente.
  • Më shumë fleksibilitet i rrjetit gjatë kërkesave në raste të paparashikuara.
  • Menaxhim më efikas i kapacitetit të rrjetit përmes automatizimit me inteligjencë artificiale.

Ky partneritet rikthekson angazhimin e vazhdueshëm të Vodafone Albania për të investuar në inovacion dhe për të eksploruar teknologjitë që do të formësojnë brezin e ri të infrastrukturës dixhitale. Duke bashkuar lidhjen dhe inteligjencën artificiale, Vodafone Albania dhe Nokia po hedhin hapat e parë në ndërtimin e themeleve për shërbimet e së ardhmes, që do të sjellin përfitime për bizneset, institucionet publike dhe shoqërinë, ndërsa transformimi dixhital po evolon me ritme të shpejta.

Scroll to Top