Aksident i rëndë në Nju Jork, dy makina godasin ndërtesë

Tronditëse! Dy makina përplasen me shpejtësi në një ndërtesë në Nju Jork, këmbësori shpëton për mrekulli.

Një aksident i rëndë ka ndodhur të martën në mbrëmje në Nju Jork, ku dy automjete u përplasën me shpejtësi të lartë dhe përfunduan duke goditur një ndërtesë, ndërsa një këmbësor i shpëtoi për mrekulli goditjes.

Ngjarja ka ndodhur në zonën Bedford-Stuyvesant të Bruklinit. Pamjet nga një kamerë sigurie tregojnë momentin dramatik kur një 20-vjeçar, i veshur me kostum blu, po ecte në Rrugën Fulton dhe në sekondën e fundit devijoi, duke shmangur përplasjen me automjetet që dolën jashtë kontrollit.

Sipas policisë, një Cadillac i zi dhe një BMW dyshohet se kaluan me semafor të kuq përpara se të përplaseshin dhe më pas të godisnin ndërtesën. Si pasojë e aksidentit, të dy drejtuesit e mjeteve dhe këmbësori mbetën të plagosur, por ndodhen në gjendje të qëndrueshme në spital.

Drejtuesi 56-vjeçar i Cadillac-it, Anthony Hayes, është arrestuar dhe përballet me akuza për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, shkaktim të lëndimeve trupore me automjet, rezistencë ndaj arrestimit, rrezikim nga pakujdesia dhe shkelje të tjera të rënda të qarkullimit rrugor.

Drejtuesi 43-vjeçar i BMW-së, Robert Walker, akuzohet për shkaktim të lëndimeve trupore me automjet, dëmtim të pronës dhe kalim me semafor të kuq.

Përplasja shkaktoi dëme të mëdha edhe në një studio joge që ishte në ndërtim dhe planifikohej të hapej më 1 gusht. Pronari i saj tha se hapja do të shtyhet për shkak të dëmtimeve të konsiderueshme.

“Është e tmerrshme. Është thjesht tronditëse dhe dëmi është masiv. Pyes veten si mund të ndodhë diçka e tillë?”, u shpreh ai për News12.

Scroll to Top