Ukraina godet Moskën me dronë: Tre të vdekur dhe pesë të plagosur
Një sulm me dhjetëra dronë ka goditur gjatë natës rajonin e Moskës, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e pesë të tjerëve. Ky informacion u bë i ditur nga guvernatori i rajonit, Andrei Vorobyev.
Sipas guvernatorit, në fshatin Pionersky, në distriktin Istra, tre persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën pas rrëzimit të një droni në zonë. Ndërkohë, në Solnechnogorsk, dy persona mbetën të plagosur pasi një tjetër dron goditi një pallat banimi.
Vorobyev njoftoi gjithashtu se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar gjithsej 81 dronë gjatë natës, duke parandaluar kështu dëme edhe më të mëdha.
Në një zhvillim të veçantë, guvernatori i rajonit jugperëndimor të Stavropolit, Vladimir Vladimirov, raportoi se një tjetër “sulm me dron armik” u zmbraps nga forcat ruse. Ai theksoi se një dron shkaktoi zjarr në një zonë industriale në fshatin Vyazniki, distrikti Spakovsky, por fatmirësisht nuk pati viktima.
Këto sulme vijnë pas një periudhe intensifikimi të sulmeve me dronë nga Ukraina kundër territorit rus. Synimi kryesor duket të jenë objektet e infrastrukturës energjetike, me qëllim dobësimin e burimeve financiare të luftës së nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022. Nga ana tjetër, Rusia vazhdon sulmet e përditshme ndaj territorit ukrainas.
Konflikti, i cili ka hyrë në vitin e pestë, mbetet lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa përpjekjet për një zgjidhje diplomatike ende nuk kanë sjellë rezultate konkrete.
