Regjistër elektronik për koncesionet dhe PPP-të: Pagesat për kontratat do të bëhen publike
Qeveria ka nisur një iniciativë për të rritur transparencën lidhur me kontratat e koncesioneve dhe partneriteteve publik-private (PPP) duke krijuar një regjistër elektronik kombëtar. Ky sistem i ri pritet të publikojë të dhëna të hollësishme për secilën kontratë, duke përfshirë llojin, kohëzgjatjen, tarifat, pagesat dhe datat e përfundimit.
Nisma është parashikuar në projektvendimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, “Për miratimin e rregullave për përmbajtjen dhe formën e regjistrit elektronik të koncesioneve dhe partneritetit publik-privat”. Qëllimi kryesor është krijimi i një baze të unifikuar të dhënash për monitorimin dhe vlerësimin e ndikimit të koncesioneve në ekonomi.
Sipas relacionit që shoqëron projektvendimin, aktualisht informacioni për këto lloj kontratash administrohet në mënyrë fragmentare nga autoritetet kontraktuese. Mungesa e një sistemi kombëtar të vetëm pengon standardizimin e informacionit, përditësimin periodik të të dhënave dhe monitorimin në kohë reale të kontratave.
“Kjo situatë krijon vështirësi në monitorimin institucional të kontratave, në analizimin e angazhimeve financiare të shtetit, në evidentimin e ndryshimeve kontraktore, si dhe në përgatitjen e raporteve për organet mbikëqyrëse dhe auditimin. Në këtë kontekst, është e nevojshme krijimi i një regjistri elektronik të centralizuar, i cili do të shërbejë si baza zyrtare e të dhënave për të gjitha kontratat e koncesioneve dhe partneriteteve publik-private”, thuhet në relacion.
Të dhënat që do të përmbajë regjistri elektronik:
- Autoriteti kontraktues
- Objekti dhe lloji i kontratës
- Kohëzgjatja
- Vlera e investimit
- Vlera totale e kontratës
- Tarifat dhe pagesat
- Teksti i plotë i kontratës
- Studimi i fizibilitetit
- Dokumentacioni i procedurës së dhënies së koncesionit
- Ndryshimet kontraktore
- Transferimet e kontratës
- Marrëveshjet e nënkontraktimit
- Dokumentacioni mbi pronësinë
- Dokumentet që lidhen me përfundimin e kontratës
Sistemi do të ndërveprojë gjithashtu me regjistrin e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) për të marrë automatikisht të dhëna për operatorët ekonomikë. Regjistri do të jetë publik dhe pa pagesë, me akses të ofruar duke respektuar ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtën e informimit.
Përveç funksionit informues, ky sistem do të shërbejë edhe si mjet monitorimi për institucionet shtetërore. Ai do të gjenerojë raporte periodike mbi ecurinë e kontratave, realizimin financiar dhe performancën e tyre, të cilat do t’u vihen në dispozicion Ministrisë së Financave dhe institucioneve mbikëqyrëse.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do të jetë përgjegjëse për funksionimin e sistemit elektronik, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave. Ngritja e regjistrit nuk do të kërkojë fonde shtesë, pasi financimi do të bëhet brenda buxhetit të miratuar për AKSHI-në për vitin 2026.
