“`html
BSH hoqi licencat për 80 zyra këmbimi valutor, numri i tyre ra për herë të parë në tetë vjet
Numri i zyrave të këmbimit valutor pësoi një rënie në vitin 2025, duke shënuar për herë të parë një ulje pas tetë vjetësh. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar numri i subjekteve të licencuara për këtë aktivitet zbriti në 592 zyra, nga 642 zyra që ishte shifra zyrtare e raportuar në fund të vitit 2024. Brenda një viti, tregu është tkurrur me 50 subjekte, ose rreth 8%.
Gjatë vitit 2025, u dhanë 33 licenca të reja për zyra këmbimi valutor, ndërsa u revokuan 83 licenca. Banka e Shqipërisë thekson se ka rritur ndjeshëm vëmendjen mbikëqyrëse ndaj zyrave të këmbimit valutor, pasi ky sektor ka ekspozim të lartë ndaj parasë fizike dhe kontakt të drejtpërdrejtë me publikun.
Sipas raportit vjetor të mbikëqyrjes, fokusi i kontrolleve ka qenë jo vetëm te ekzistenca e procedurave të brendshme, por sidomos te zbatimi i tyre në praktikë. Kjo përfshin identifikimin e klientit, monitorimin e transaksioneve, ruajtjen e dokumentacionit dhe raportimin e rasteve të dyshimta.
Gjatë vitit 2025, u kryen 27 inspektime në terren, kryesisht për të verifikuar përmbushjen e detyrave mbikëqyrëse dhe, sipas rastit, edhe në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare. Gjetjet kryesore lidhen me mangësi në zbatimin e vigjilencës së duhur dhe të zgjeruar, mungesë të sistemeve të centralizuara për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, dobësi në dokumentimin e verifikimeve me listat e sanksioneve, mungesë trajnimesh dhe raportim jo të rregullt të veprimeve valutore pranë Bankës së Shqipërisë.
Për problematikat e konstatuara, u revokuan licencat për 80 zyra këmbimi valutor. Një subjekt mori masën e tërheqjes së vëmendjes, ndërsa në 201 raste të tjera u morën masa administrative.
Këto të dhëna tregojnë se ulja e numrit të zyrave të këmbimit valutor ka ardhur kryesisht si rezultat i masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë. Në periudhën 2017-2024, numri i zyrave ishte rritur me 50%. Rritja e turizmit, sidomos pas pandemisë, kishte sjellë një rritje të volumit të këmbimeve valutore, duke nxitur kërkesën për hapjen e më shumë zyrave.
Rregullorja e re forcoi kërkesat dhe kufizoi këmbimet në cash
Përveç forcimit të kontrollit dhe inspektimeve, vitin e kaluar Banka e Shqipërisë miratoi edhe disa ndryshime në rregulloren për “Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor”. Ndryshimet kryesore lidhen me rritjen e kapitalit fillestar, dokumentimin e burimit të kapitalit dhe kërkesat për ushtrimin e aktivitetit. Këto masa synojnë forcimin e kërkesave rregullatore, duke adresuar hyrjen dhe operimin në treg të subjekteve që plotësojnë kushtet e nevojshme të qëndrueshmërisë financiare, përshtatshmërisë dhe integritetit të strukturave të zotërimit të kapitalit, drejtimit të përgjegjshëm, si dhe zbatimit të kuadrit rregullator.
Rregullorja e re parashikon dyfishimin e kapitalit minimal të kërkuar për licencimin e këtyre zyrave, nga 2.5 milionë lekë në 5 milionë lekë. Çdo pagesë e kapitalit fillestar minimal, çdo shtesë e mëvonshme e tij, si dhe çdo ndryshim në strukturën e kapitalit, duhet të shoqërohet me paraqitjen në Bankën e Shqipërisë të informacionit lidhur me burimin e krijimit të këtij kapitali.
Gjithashtu, rregullorja vendos për herë të parë limite mbi veprimet në para fizike të kryera nga zyrat e këmbimit. Subjekti i licencuar, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së këmbimit valutor, nuk do të lejohet të mbajë në arkë vlera monetare (cash) mbi baza ditore, më të larta se vlera e kapitalit fillestar minimal. Zyrat e këmbimit nuk do të lejohen të kryejnë transaksione në para fizike, të cilat tejkalojnë një shumë prej 2.5 milionë lekësh ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, të kryera në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhur me njëri-tjetrin. Transaksionet që tejkalojnë këtë shumë duhet të kryhen nëpërmjet llogarive bankare ose llogarive të pagesave.
Përveç kërkesave të rregullores së mëparshme, rregullorja e re parashikon që në shqyrtimin e kërkesës për licencim të zyrës së këmbimit valutor, Banka e Shqipërisë do të vlerësojë përshtatshmërinë, reputacionin e mirë dhe integritetin e aksionarit/ortakut, pronarit përfitues dhe administratorit të subjektit. Kjo vlerësim do të bëhet si në momentin e licencimit, ashtu edhe sa herë që ka ndryshime në përbërjen e strukturës së pronësisë dhe organeve drejtuese gjatë ushtrimit të veprimtarisë.
Një aksionar, pronar përfitues apo administrator do të konsiderohet të ketë reputacion të mirë nëse respekton kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi, përfshirë ato që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. Ai nuk duhet të ketë rekorde kriminale të lidhura me krime financiare, aktivitete të paligjshme ose shkelje të rënda ligjore. Duhet të ketë qëndrueshmëri financiare dhe të mos jetë i përfshirë në çështje financiare ose ligjore të rëndësishme që mund të dëmtojnë reputacionin ose besueshmërinë, si dhe të mos jetë subjekt i hetimeve ose sanksioneve për mosrespektimin e kuadrit ligjor e rregullator të zbatueshëm.
“`
