Eurostat: 1.8 milionë banorë kanë emigruar (neto) nga Shqipëria gjatë periudhës 1990 – 2025
Gjatë 35 viteve të fundit, Shqipëria ka përjetuar vazhdimisht një bilanc migrator negativ, duke larguar më shumë persona nga sa janë kthyer në vend. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, nga viti 1990 deri në vitin 2025, numri i emigrantëve ka qenë rreth 1.8 milionë më i lartë se numri i personave të kthyer. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Shqipëria ka qenë një vend me dalje neto të popullsisë.
Ky fenomen ka sjellë humbjen e kapitalit më të çmuar të vendit, duke renditur Shqipërinë në krye të listës globale për përkeqësimin e treguesve demografikë. Ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste të Evropës, ku ky fenomen është zbutur në dekadën e katërt të tranzicionit, në Shqipëri ai është përkeqësuar më tej pas pandemisë.
**Vala e parë e largimeve (1990-2001):**
* Periudha më e fortë e largimeve u regjistrua gjatë viteve 1990.
* Vetëm në periudhën 1990–2001, bilanci negativ arriti rreth 785,7 mijë persona.
* Mesatarisht, Shqipëria humbi nga migracioni rreth 65 mijë persona në vit gjatë kësaj dekade.
* Vitë me largime të larta ishin: 1991 (-123,619 persona), 1995 (-118,022 persona), 1997 (-107,503 persona) dhe 1999 (-105,229 persona).
* Valët masive të emigracionit në dekadën e parë të tranzicionit ishin pasojë e ndryshimeve të forta politike e ekonomike dhe konflikteve që u shfaqën gjatë skemave piramidale.
**Ngadalësim i përkohshëm, por ende i lartë (2002-2013):**
* Gjatë viteve 2002-2013, ritmet e largimeve u ngadalësuan, por mbetën të larta.
* Bilanci negativ arriti rreth 391 mijë persona, me një mesatare vjetore prej afro 33 mijë personash.
* Cikli pozitiv i ekonomisë dhe stabiliteti politik ulën trendin e largimeve.
**Përkeqësim i fortë pas pandemisë (2014-2025):**
* Megjithëse pritej një zbutje e fenomenit, periudha 2014-2025 shënoi një përkeqësim të fortë.
* Largimet u rritën ndërsa baza e popullsisë u tkurr.
* Gjatë kësaj periudhe, humbja neto nga migracioni ishte rreth 617 mijë persona, ose mesatarisht afro 51 mijë në vit.
* Pas vitit 2020, emigrimi shënoi një përkeqësim të fortë, me bilance negative prej 32,853 personash në vitin 2021 dhe 32,497 personash në vitin 2022.
* Për vitet 2024 dhe 2025, humbja neto vlerësohet përkatësisht në 28,836 dhe 28,531 persona, duke treguar se daljet vazhdojnë të jenë dukshëm më të larta se hyrjet.
* Viti 2023 rezulton me një stok të lartë të migrimit neto prej rreth -373 mijë personash, si rrjedhojë e korrigjimeve statistikore të censit të vitit 2023.
Emigracioni neto është rikthyer në nivele të larta vitet e fundit, duke thelluar tkurrjen e popullsisë së Shqipërisë. Pas një ngadalësimi të përkohshëm gjatë gjysmës së dytë të dekadës së kaluar, bilanci negativ i migracionit është zgjeruar sërish pas pandemisë, me rreth 29-33 mijë persona më shumë që largohen sesa hyjnë në vend çdo vit.
Të dhënat tregojnë se emigracioni ka qenë një nga faktorët kryesorë të tkurrjes së popullsisë së Shqipërisë gjatë tri dekadave e gjysmë. Edhe pse largimet nuk janë më në përmasat e viteve 1990, vendi vazhdon të humbasë çdo vit rreth 28–30 mijë banorë neto. Ky ritëm po përshpejton plakjen e popullsisë, po pakëson forcën e punës dhe po ngushton bazën e kontribuuesve në skemat sociale.
