Rritet tensioni në rajon: Sulm ajror amerikan në Iran, shtatë ushtarë iranianë të vrarë
Shtatë ushtarë iranianë humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën pas një sulmi të rëndë ajror amerikan në qytetin jugor të Baburit. Autoritetet iraniane raportojnë se forcat amerikane goditën një kazermë ushtarake duke përdorur 13 raketa, sipas një deklarate zyrtare ushtarake të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Fars.
Ky sulm vjen pas një vale të gjerë bombardimesh ajrore të kryera gjatë natës, duke përshkallëzuar më tej përplasjen mes Uashingtonit dhe Teheranit. Një zëdhënës i qeverisë iraniane deklaroi se numri i viktimave nga sulmet e fundit kaloi 30 persona, ndërsa Ministria iraniane e Shëndetësisë raportoi mbi 260 të plagosur.
Ushtria iraniane reagoi menjëherë pas sulmeve, duke paralajmëruar një “përgjigje vendimtare” ndaj Shteteve të Bashkuara. Në kundërpërgjigje, Teherani pretendoi se ka shënjestruar objekte ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit, përfshirë baza në Bahrein, Jordani dhe Kuvajt.
Nga ana tjetër, ushtria amerikane njoftoi se kishte goditur dhjetëra objektiva ushtarake gjatë valës së fundit të sulmeve ndaj Iranit. Presidenti amerikan Donald Trump, në një intervistë për Fox News, deklaroi se operacionet do të vazhdojnë “derisa të them mjaft është mjaft”. Shtetet e Bashkuara akuzuan gjithashtu Iranin për sulme të qëllimshme ndaj civilëve ditët e fundit.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi përfundimin e një operacioni ajror shtatë-orësh, i cili kishte në objektiv dhjetëra pika ushtarake pranë Ngushticës së Hormuzit dhe zonave bregdetare të Iranit. Agjencia iraniane Fars raportoi se një nga zonat e goditura ishte porti i Çabaharit, i vetmi port oqeanik i Iranit, ku u sulmua një qendër kontrolli i trafikut detar, pa shkaktuar viktima sipas autoriteteve iraniane.
Ky përshkallëzim i fundit ka rritur frikën për një zgjerim të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa të dyja palët vazhdojnë shkëmbimin e sulmeve dhe kërcënimeve.
