Kompanitë tregtare Guna dhe KAYO marrin 17 milionë euro financime nga buxheti
Dy kompani me kapital shtetëror që operojnë në fushën e mbrojtjes, Guna Tactical dhe KAYO, kanë përfituar deri më tani 17 milionë euro financim nga buxheti i shtetit. Të dhënat nga pagesat e thesarit, të marra nga Open Spending Albania, tregojnë se kompanitë “Guna Tactical” dhe “KAYO” janë kontraktuar për një sërë shërbimesh dhe furnizimesh, me një vlerë totale prej rreth 1.64 miliardë lekësh, ose mbi 17 milionë euro.
Operatori “Guna Tactical” ka qenë pjesë e tre transaksioneve të rëndësishme, duke siguruar një total prej 722,182,335 lekësh. Këto fonde janë alokuar kryesisht për plotësimin e nevojave logjistike të institucioneve të sigurisë, duke përfshirë furnizimin me uniforma dhe veshje të tjera speciale për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, si dhe veshje për ushtrinë.
Nga ana tjetër, kompania “KAYO” ka përfituar një vëllim edhe më të madh financimesh, me një total prej 919,247,054 lekësh, përmes katër kontratave. Shpenzimet për këtë operator janë përqendruar më tepër tek investimet teknike dhe kapitalet, duke përfshirë blerjen e automjeteve, mjeteve të tjera teknike, si dhe transferta kapitale përtej Repartit Ushtarak në Tiranë.
Mbrojtja e vendit dhe forcat e luftës po shndërrohen në një nga njësitë me shpenzimet më të mëdha të buxhetit të shtetit. Me ndryshimet e fundit buxhetore, qeveria shtoi edhe me 108 milionë euro buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke e çuar atë në gjithsej 69.2 miliardë lekë, ose më shumë se 728 milionë euro.
Megjithatë, transparenca e fondeve në ushtri nuk është aq e dukshme sa në sektorë të tjerë, për shkak të konfidencialitetit në të cilin operon ky sektor. Gjithashtu, janë krijuar një seri kompanish me kapital publik dhe me kapital të përbashkët publik-privat.
Në shtator të vitit të kaluar, qeveria themeloi kompaninë KAYO sh.a. me aksione shtetërore. Qeveria i alokoi kompanisë 150 milionë lekë (rreth 1.5 milionë euro) si kapital fillestar për funksionimin e KAYO-s, pjesë e një pakete më të madhe prej 440 milionë lekësh për ristrukturimin e sektorit të mbrojtjes. Shoqëria ka si objekt veprimtarie projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin, asgjësimin dhe tregtimin, brenda dhe jashtë vendit, të të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve, duke ndjekur interesa ekonomike dhe tregtare.
Vetë kompania shtetërore KAYO sh.a. ka themeluar tre kompani të reja në industrinë e mbrojtjes:
- Timak Defence: Kompani private me 80% të aksioneve, ndërsa 20% janë në pronësi të KAYO. Objekti i veprimtarisë së Timak Defence është prodhimi ose përshtatja e mjeteve motorike të posaçme.
- M.K.D: KAYO ka bashkëthemeluar këtë kompani private, e cila ka kontribuar me teknologji dhe ekspertizë në fushën e prodhimit të armëve dhe municioneve. M.K.D. do të fokusohet në prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrit të vogël dhe të mesëm, sipas standardeve të NATO-s.
- Guna Tactical: KAYO është aksionere në këtë kompani, e cila është themeluar në bashkëpunim me një tjetër subjekt privat, MSSC, që ka 49% të aksioneve dhe KAYO 51%. Guna Tactical do të fokusohet në prodhimin dhe tregtimin e armëve të lehta dhe pajisjeve taktike për përdorim nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e sigurisë, sipas të dhënave të saj nga ekstrakti në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
