Hiqen pengesat ligjore, Izraeli planifikon të përdorë krokodilë për të ruajtur të burgosurit palestinezë
Izraeli ka riklasifikuar krokodilët e Nilit si kafshë “të kujdesura”, duke hapur kështu mundësinë që ato të përdoren si pjesë e sigurisë së burgjeve.
Propozimi, i cili konsiston në rrethimin e burgjeve me hendeqe të mbushura me krokodilë, u paraqit në fund të vitit të kaluar nga Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir. Ai argumentoi se zvarranikët do të forconin sigurinë dhe do të parandalonin arratisjet.
Fillimisht, Autoriteti i Natyrës dhe Parqeve të Izraelit e konsideroi propozimin të parealizueshëm ligjërisht, pasi krokodilët e Nilit klasifikoheshin si kafshë të egra, të cilat mund të mbaheshin vetëm në kopshte zoologjike dhe rezerva natyrore.
Megjithatë, kjo pengesë ligjore thuhet se u hoq këtë javë, kur Ministrja e Mbrojtjes së Mjedisit, Idit Silman, riemërtoi krokodilin e Nilit si “kafshë të egër të kujdesur”. Ky klasifikim i ri lejon mbajtjen e zvarranikëve në një gamë më të gjerë ambienti, përfshirë edhe burgjet.
Ky emërtim i ri vjen pavarësisht paralajmërimeve nga këshilltarja ligjore e ministrisë, e cila i tha Silman se ajo nuk kishte autoritetin për të vendosur në mënyrë të njëanshme mbi statusin e krokodilëve dhe për të hapur rrugën për vendosjen e tyre në burgje.
Disa javë më parë, Ben-Gvir dhe Silman zhvilluan një takim me këshilltaren ligjore dhe shefen e Autoritetit të Natyrës dhe Parqeve, Raya Soraki, duke i nxitur të pranonin planin.
Sipas mediave izraelite, Ben-Gvir dëshiron t’i prezantojë fillimisht zvarranikët në burgun Ketziot, një qendër burgimi në jug të Izraelit që mban kryesisht të burgosur palestinezë.
Pas paraqitjes së parë të propozimit, Shërbimi i Burgjeve të Izraelit (IPS) shqyrtoi çështjen dhe dërgoi oficerë në fermën e krokodilëve Hamat Gader për t’u njohur me zvarranikët.
IPS e priti propozimin e ministrit në mënyrë të favorshme, duke pasur parasysh blerjen e ekzemplarëve më të vegjël, të cilët kushtojnë rreth 8,000 dollarë për kokë, në krahasim me zvarranikët më të vjetër, që kushtojnë rreth 20,000 dollarë.
“Kjo është një shumë relativisht e vogël krahasuar me investimin në siguri që kërkon një burg, dhe rezultatet do të ishin edhe më të mira”, tha një burim nga IPS për gazetën Maariv në atë kohë, duke shtuar se zvarranikët e vegjël “gjithashtu të rrezikshëm” do të rriteshin brenda kompleksit të burgut.
