Galerne: Fenomeni Meteorologjik i Fuqishëm në Francë

Reja gjigante mbuloi plazhin në Francë, pas spektaklit mbresëlënës fshihet fenomeni meteorologjik i njohur, “Galerne”

Një fenomen i pazakontë atmosferik ka habitur pushuesit në një plazh në Francë. Një “mur” gjigant resh të errëta u shfaq papritur në horizont, duke ndryshuar brenda pak minutash kushtet e motit.

Pamjet spektakolare u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale. Shumë përdorues e krahasuan skenën me një film katastrofash dhe e cilësuan si një “mini-cunami resh”.

Megjithatë, meteorologët sqarojnë se bëhet fjalë për një fenomen të njohur të quajtur Galerne. Ky fenomen është një erë e ftohtë dhe e fuqishme që formohet si pasojë e kontrastit të madh të temperaturave mes tokës dhe detit.

Pirometeorologu Theodoros Giannaros, në një prononcim për ERT, theksoi se fenomeni nuk lidhet me një dukuri të re klimatike, por është një proces i njohur meteorologjik. Ai shpjegoi se valët e të nxehtit ngrohin ndjeshëm ajrin mbi tokë, ndërsa ajri mbi Gjirin e Biskajës mbetet shumë më i freskët.

Kur ndryshon drejtimi i erës, masa e ajrit të ftohtë përparon me shpejtësi drejt bregdetit. Kjo masë ajri futet poshtë ajrit të ngrohtë, duke e detyruar atë të ngrihet lart. Ky proces krijon re të dendura dhe imponuese, të cilat japin pamjen e një muri gjigant që lëviz drejt bregut.

Eksperti paralajmëroi se, pavarësisht pamjes mbresëlënëse, fenomeni mund të jetë i rrezikshëm. Ai shoqërohet me erëra shumë të forta, që në disa raste arrijnë intensitet stuhie, duke paraqitur rrezik për pushuesit dhe mjetet lundruese.

Sipas Giannaros, vala e fortë e të nxehtit që ka përfshirë rajonin ka gjasa ta ketë bërë fenomenin edhe më intensiv. Kjo ka krijuar kontraste edhe më të mëdha temperaturash mes tokës dhe detit.

Një postim në rrjetet sociale thekson se:

  • Një Galerne, një erë e ftohtë e papritur Atlantike, tipike për Gjirin e Biskajës,
  • përfshiu me shpejtësi plazhin e gjerë të Francës,
  • duke shkaktuar një rënie të temperaturës me më shumë se 15 °C.

🇫🇷🌬️🌡️ — Omne Europa (@neolatyno)

Scroll to Top