Ministri gjerman paralajmëron për rritjen e rrezikut të sulmeve terroriste: Mund të ndodhin në çdo kohë
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, ka paralajmëruar se vendi po përballet me një nivel të lartë kërcënimi, duke theksuar se ekziston rreziku që sulme të ndodhin në çdo moment.
Në një intervistë për edicionin e së dielës të gazetës “Welt”, Dobrindt deklaroi se informacionet e reja nga inteligjenca e kanë shtyrë atë të rrisë vlerësimin e mëparshëm nga një kërcënim abstrakt në një situatë me kërcënim të lartë.
“Kjo do të thotë se në Gjermani duhet të pritet mundësia e sulmeve në çdo kohë”, u shpreh ai, duke shtuar se planet për sulme ndaj Gjermanisë janë “qartësisht të dallueshme”.
Ministri kishte sinjalizuar edhe më herët, gjatë konferencës së ministrave të Brendshëm rreth një muaj më parë, se do të rishikonte nivelin e kërcënimit.
Sipas Dobrindt, ky vlerësim bazohet në një rritje të ndjeshme të informacioneve të siguruara nga shërbimet partnere të inteligjencës dhe nga hetimet e autoriteteve gjermane. Ai përmendi gjithashtu shtimin e incidenteve të sabotimit, si dhe forcimin e rrjeteve të agjentëve brenda dhe jashtë Gjermanisë, të cilët dyshohet se po planifikojnë aktivitete spiunazhi dhe sabotimi.
