Arrestohen 119 persona në Turqi, dyshohet për lidhje me Shtetin Islamik
Autoritetet turke kanë arrestuar 119 persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje me grupin militant Shteti Islamik (IS). Arrestimet janë kryer gjatë një operacioni të shtrirë në 30 provinca të vendit, siç njoftoi Ministria e Brendshme e Turqisë.
Sipas informacioneve të ministrisë, operacioni është zhvilluar nga xhandarmëria në disa provinca, duke përfshirë Stambollin, Ankarën dhe Adanën. Të arrestuarit akuzohen për anëtarësim në Shtetin Islamik, përhapje të propagandës së grupit në rrjetet sociale, si dhe për financimin e tij, duke përdorur persona të lidhur me organizatën terroriste dhe subjekte të quajtura “shoqata bamirëse”.
Në fund të qershorit, një person i dyshuar për lidhje me IS u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në jug të Ankarasë, ngjarje kjo që ndodhi vetëm dy javë para samitit të NATO-s të mbajtur në kryeqytetin turk.
