Kriptovalutat në Shqipëri: Detyrime të reja raportimi tatimor

Tregu i kriptomonedhave nën kontroll: Drafti i ri sjell detyrime për raportim vjetor

Shqipëria po përgatitet të miratojë një kuadër të ri rregullator për tregun e kriptovalutave. Një projektligj i paraqitur për konsultim publik nga Ministria e Financave synon t’i japë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve rolin kryesor në mbledhjen, përpunimin dhe shkëmbimin e të dhënave me autoritetet tatimore të vendeve të Bashkimit Evropian, lidhur me transaksionet me kripto-asete.

Sipas draftit, platformat që ofrojnë shërbime me kriptovaluta do të kenë detyrimin të identifikojnë klientët e tyre dhe rezidencën e tyre tatimore. Përdoruesit do të duhet të deklarojnë të dhëna personale, duke përfshirë emrin, adresën, shtetin e rezidencës, numrin e identifikimit tatimor dhe datëlindjen. Për kompanitë, do të verifikohen pronarët përfitues dhe personat që ushtrojnë kontroll mbi subjektin.

Ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve do të raportojnë pranë Tatimeve të gjitha veprimet financiare kryesore. Këto përfshijnë:

  • Këmbimet mes kriptomonedhave dhe monedhave tradicionale.
  • Kalimet nga një kripto-aset në një tjetër.
  • Transferimet drejt ose nga kuletat digjitale të përdoruesve.

Raportimi do të përfshijë gjithashtu të dhëna për vlerën totale të transaksioneve, numrin e njësive të blera apo shitura dhe lëvizjet drejt adresave digjitale që nuk lidhen me platforma të njohura financiare. Përveç kësaj, do të deklarohen pagesat me kripto për mallra apo shërbime, në rast se vlera e tyre tejkalon 50 mijë dollarë.

Projektligji parashikon që raportimet do të kryhen një herë në vit, deri më 30 qershor të vitit pasardhës. Platformat do të kenë detyrimin të ruajnë dokumentacionin për një periudhë minimale prej shtatë vitesh. Drafti gjithashtu përcakton masa për përdoruesit që nuk dorëzojnë informacionet e kërkuara, duke u dhënë platformave të drejtën të kufizojnë kryerjen e transaksioneve pas njoftimeve përkatëse.

Operatorët e kripto-aseteve do të duhet të regjistrohen pranë Tatimeve dhe të pajisen me NIPT. Mosrespektimi i këtyre detyrimeve do të sanksionohet me gjoba, të cilat do të variojnë nga qindra mijëra deri në 1 milion lekë.

Megjithëse ligji do të hyjë në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, zbatimi praktik i tij pritet të fillojë me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Scroll to Top