Zjarre në Spanjë: Mbi 380 mijë hektarë të djegur

Spanja përfshihet nga zjarret: Mbi 380 mijë hektarë të djegur pranë Madridit dhe Zaragozës

Një zjarr i madh pyjor që shpërtheu rreth 100 kilometra në veri të Madridit është përhapur me shpejtësi, duke shkatërruar mbi 120 mijë hektarë tokë dhe duke detyruar qindra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, sipas njoftimeve të autoriteteve spanjolle.

Flakët po marshojnë në rajonin e Guadalajarës, kryesisht në parkun natyror Sierra Norte. Presidenti i rajonit Castilla-La Mancha, Emiliano García-Page, e ka përshkruar situatën si “shumë të vështirë”. Deri tani nuk raportohet për viktima.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar rreth 350 zjarrfikës dhe ushtarë të Njësisë Ushtarake të Emergjencës (UME). Ata mbështeten nga 25 avionë zjarrfikës në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët.

Një nga vatrat më problematike është ajo në La Mierla (Guadalajara), ku zjarri ka përfshirë rreth 5,400 hektarë dhe ka çuar në evakuimin e rreth 600 banorëve nga 12 lokalitete. Zjarri ka shpërthyer në një zonë pyjore dhe malore me rëndësi të veçantë ekologjike, e cila është habitat i disa specieve të rrezikuara, përfshirë shqiponjat, ujqërit dhe lloje të rralla fluturash.

Ndërkohë, Spanja po përballet edhe me një tjetër zjarr të madh pranë Zaragozës, në verilindje të vendit, të cilin autoritetet e konsiderojnë ende “larg stabilizimit”. Sipas vlerësimit më të fundit publikuar nga Roberto Bermúdez de Castro, përgjegjës për sigurinë në qeverinë rajonale të Aragonës, ky zjarr ka djegur pothuajse 160 mijë hektarë.

Edhe në këtë rast, deri më tani nuk janë raportuar viktima, ndërsa autoritetet vijojnë betejën kundër flakëve në të dy rajonet.

Scroll to Top