Sekuestrohen 770 kg kokainë, 250M euro vlera

Megaoperacion në Itali! Sekuestrohen 770 kg kokainë ekstra e pastër me vlerë 250 milionë euro.

Autoritetet italiane kanë ndërmarrë një operacion të suksesshëm kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, duke sekuestruar 770 kilogramë kokainë me pastërti të lartë në portin e Vado Ligure, në veriperëndim të Italisë.

Operacioni u realizua nga Policia Financiare italiane (Guardia di Finanza) në bashkëpunim me agjencinë doganore. Sipas informacioneve zyrtare, sasia e konsiderueshme e kokainës ishte fshehur me përkujdesje brenda një kontejneri frigoriferik, mes dhjetëra paletave me banane.

Kontejneri kishte mbërritur nga një nga portet kryesore të Ekuadorit, ndërsa kontrollet e kryera nga autoritetet zbuluan ngarkesën e paligjshme.

Vlerësimet e policisë italiane tregojnë se droga e sekuestruar do të kishte arritur një vlerë prej rreth 250 milionë euro në tregun e zi.

Autoritetet e kanë konsideruar këtë operacion si një nga goditjet më të rëndësishme kundër trafikut të drogës të kryera në portin e Vado Ligure në vitet e fundit. Ky është i dyti operacion i madh brenda pak javësh në të njëjtin port. Më pak se tre javë më parë, forcat e rendit sekuestruan 340 kilogramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 120 milionë eurosh në tregun ilegal.

Hetimet vijojnë me qëllim zbulimin e rrjetit kriminal përgjegjës për transportin e drogës dhe destinacionin e saj final.

Scroll to Top