Tatimet po shqyrtojnë rikthimin e penalitetit 10% për mospagimin e kësteve të tatimfitimit
Duke filluar nga 1 janari 2023, bizneset nuk paguan më një penalitet prej 10% për mospagesën në afat të kësteve tremujore të tatimfitimit. Kjo masë u prezantua si një lehtësi për bizneset. Sipas ndryshimeve në ligjin e procedurave tatimore, mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe vetëpunësimi, sipas legjislacionit në fuqi për tatimin mbi të ardhurat, dënohet me gjobë në masën 0,06% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë, por jo më shumë se 365 ditë kalendarike.
Burime nga Drejtoria e Tatimeve kanë bërë të ditur për “Monitor” se administrata po shqyrton mundësinë e rikthimit të penalitetit prej 10%. Ky rishikim vjen pas konstatuar një rënie të të ardhurave nga tatim fitimi, e cila nuk duket të jetë në lidhje me situatën reale të bizneseve, duke marrë parasysh ecurinë e shitjeve dhe të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, për 6-mujorin e parë të këtij viti, të ardhurat nga tatim fitimi ishin 31 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 6,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 2,2 miliardë lekë më pak. Në të njëjtën periudhë, të ardhurat neto nga TVSH u rritën me 10,6%, duke arritur në 120,7 miliardë lekë (+11,6 miliardë lekë), tregues ky i një ecurie të mirë të shitjeve dhe përmirësimit të konsumit. Gjithashtu, të ardhurat nga sigurimet u rritën me 13,3%, duke arritur në 99,6 miliardë lekë (+11,7 miliardë lekë), e nxitur nga rritja e pagës minimale dhe maksimale, si dhe e pagës mesatare në vend, e ndikuar gjithashtu nga aksionet për formalizimin e tregut të punës.
Tatimet pohojnë se reagimi i bizneseve ndaj kërkesës për formalizim ka qenë pozitiv deri tani. Megjithatë, heqja e penalitetit prej 10% për tatim fitimin duket se ka nxitur subjektet të mos nxitojnë të paguajnë këstet e këtij detyrimi, duke ruajtur kështu likuiditetet. Si pasojë, administrata tatimore po kryen një analizë të situatës dhe deri në shtator do të vendosë për masën që do të marrë.
Edhe pse synimi nuk është penaliteti, aktualisht administrata tatimore nuk ka mjete të tjera për t’i nxitur subjektet të paguajnë, përveçse kontakteve telefonike. Edhe pse biznesi do të detyrohet të paguajë tatim fitimin në fund të vitit, shuma e lartë vjetore mund ta vërë atë nën presion për të gjetur mënyra për të paguar sa më pak.
Të ardhurat u rritën me 12% për 6-mujorin
Sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave, të ardhurat buxhetore për periudhën janar-maj arritën në 410,6 miliardë lekë, me një rritje prej 44,6 miliardë lekë në bazë vjetore. Nga kjo shtesë, rreth 17,8 miliardë lekë kanë ardhur nga tatimet e doganat (TVSH, tatimi mbi të ardhurat personale), dhe 11,7 miliardë lekë nga fondet speciale (sigurimet shoqërore e shëndetësore).
Gjatë këtij viti, taksat lokale po japin një kontribut të fortë në të ardhurat buxhetore, të ndikuara nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila jepet për lejet e ndërtimit. Ky zë u dyfishua për 6-mujorin, duke sjellë në buxhet 28,9 miliardë lekë, ose 14,5 miliardë lekë më shumë, duke kontribuar në gati një të tretën e shtesës së të ardhurave totale në buxhet, një tregues ky për sipërfaqen e lartë të lejeve që po jepen. Të ardhurat jo-tatimore kishin një kontribut negativ prej -1,4 miliardë lekë.
