**Titull:** Norma maksimale e lejuar e interesit për kreditë e vogla konsumatorë ulet në 51.37%
Norma maksimale e lejuar e interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore është ulur sërish për gjysmën e dytë të vitit 2026. Sipas normave të reja të miratuara nga Banka e Shqipërisë, për kreditë konsumatore me vlerë deri në 200 mijë lekë, institucionet financiare nuk mund të aplikojnë normë efektive interesi më të lartë se 51.37%. Kjo përfaqëson një ulje nga 54.8% që kishte qenë në gjysmën e parë të vitit 2026 dhe nga 62.2% që kishte qenë një vit më parë.
Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit.
Sipas ndryshimeve të miratuara në fillim të vitit 2025 nga Banka e Shqipërisë në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, norma maksimale e interesit për kreditë konsumatore me këste deri në vlerën e 200 mijë lekëve është sa mesatarja e thjeshtë e normës efektive të interesit për kredinë e dhënë në 6-mujorin paraardhës, pa u shtuar me një të tretën, siç parashikohej më parë. Ndërkohë, për kreditë në vlerë më të lartë se 200 mijë lekë, mënyra e llogaritjes do të vazhdojë të jetë e njëjtë, duke i shtuar mesatares së 6-mujorit të kaluar një të tretën, për të përcaktuar vlerën e NEI-t maksimal.
Pjesë e ndryshimeve në rregullore ishte edhe shtimi i detyrimit për kryerjen e pagesës nga ana e konsumatorit të komisioneve të aplikuara nga subjektet në momentin e dhënies së kredisë konsumatore, duke mos lejuar shpërndarjen e këtyre kostove përgjatë jetëgjatësisë së kredisë.
Gjithashtu, për kreditë deri në 200 mijë lekë, NEI maksimal për overdraftet (paradhëniet) është ulur lehtë në 18.07%, nga 18.27% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë 2026 dhe nga 18.3% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë 2025.
NEI maksimal për kreditë nga 200 mijë lekë deri në 600 mijë lekë ka shënuar rritje në 37.4%, nga 35.43% që kishte qenë në gjashtëmujorin e kaluar dhe 35.21% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë 2025. Për overdraftet në intervalin 200-600 mijë lekë, NEI maksimal është ulur në 18.39%, nga 18.5% që ishte në gjashtëmujorin e parë 2025 dhe 18.41% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë 2025.
Për kreditë me vlerë nga 600 001 deri në 2 000 000 lekë, NEI maksimal është ulur në 14.46%, nga 14.71% që kishte qenë në gjashtëmujorin e kaluar dhe 14.93% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.
Aplikimi i një norme tavan interesi për kreditë konsumatore në Shqipëri nisi në fillim të vitit 2022. Sipas Bankës së Shqipërisë, arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka. Që prej aplikimit për herë të parë, NEI maksimal ka pësuar një rënie të ndjeshme. NEI i parë maksimal për kreditë e vogla deri në 200 mijë lekë, që u vendos në fillim të vitit 2022, ishte në nivelin 171.41%, ndërsa sipas publikimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë ky tregues ka zbritur tashmë në 51.37%.
