Zjarri shkatërrimtar në Spanjë: 32,000 hektarë të djegur

Spanja po përballet me një nga zjarret më shkatërrimtare në historinë e saj, duke lënë pas rreth 32 mijë hektarë të shkrumbuara.

Një zjarr masiv pyjor, që ka përfshirë prej gati një jave provincën Guadalajara të Spanjës, ka shkatërruar një sipërfaqe të konsiderueshme toke, duke u renditur ndër zjarret më të mëdha të regjistruara në vend gjatë viteve të fundit. Sipas ekipeve të emergjencës, zjarri, i cili ndodhet në verilindje të Madridit, pritet të vihet nën kontroll në ditët e ardhshme, megjithëse parashikohen erëra më të forta.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, dhe presidenti i rajonit Castilla-La Mancha, Emiliano García-Page, zhvilluan një takim me drejtuesit e operacioneve të emergjencës për të diskutuar situatën. Autoritetet bënë të ditur se përmirësimi i situatës ka mundësuar kthimin në banesa të banorëve të pesë zonave që ishin evakuuar më herët. Gjithashtu, pritet që edhe banorët e La Mierla, vendi ku nisi zjarri rreth 70 kilometra në verilindje të Madridit, të mund të rikthehen së shpejti në shtëpitë e tyre.

Që nga shpërthimi i zjarrit të enjten e kaluar, janë evakuuar 34 komunitete dhe rreth 1 200 persona janë dërguar në zona të sigurta. Hetimet paraprake sugjerojnë se zjarri mund të ketë qenë shkaktuar nga punime bujqësore.

Me rreth 32 mijë hektarë të djegura – një sipërfaqe e barabartë me rreth 45 mijë fusha futbolli – ky është zjarri i dytë më i madh në Spanjë që prej vitit 1968, kur qeveria nisi regjistrimin zyrtar të këtyre ngjarjeve.

Scroll to Top