Tragjedi në liqenin e Komos: Një 9-vjeçare mbytet teksa ishte me pushime me familjen
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku një vajzë 9-vjeçare humbi jetën në liqenin e Komos pasi u zhduk teksa po notonte me kushërinjtë e saj.
Alarmi u ngrit në mesditën e së martës, 21 korrik, në zonën “Giardini a Lago”, përballë Tempullit të Voltës, kur familjarët humbën kontaktin me vogëlushen. Pas disa orësh kërkime intensive, zhytësit e ekipeve të emergjencës e gjetën trupin e saj vonë në mbrëmje, duke konfirmuar vdekjen.
Sipas mediave italiane, viktima është identifikuar si Arwa Rfali. Ajo u zhduk rreth orës 15:00. Dyshohet se ajo po notonte me disa kushërinj, kur papritur u rrëmbye nga rrymat e liqenit. Ngjarja ndodhi vetëm pak metra larg bregut, në një zonë që frekuentohet çdo vit nga qindra vizitorë, pavarësisht se noti aty është i ndaluar dhe sinjalizohet me tabela paralajmëruese në disa gjuhë.
Raportimet nga mediat italiane tregojnë se as fëmijët që ndodheshin në ujë me të, as të rriturit në breg nuk e kuptuan menjëherë se vajza ishte zhdukur.
Në atë pjesë të liqenit, fundi ka një pjerrësi të lehtë në metrat e parë, por më pas thellohet në mënyrë të menjëhershme, një karakteristikë që është lidhur edhe me raste të tjera mbytjesh në të kaluarën.
Autoritetet italiane po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes. Tragjedia ka rikthyer vëmendjen mbi rrezikun e larjes në zonat ku noti është i ndaluar.
Një postim i Shërbimit zjarrfikës, të cilët morën pjesë në kërkime, tregonte: “Paraprakisht: Ndërhyrje në basenin e parë të liqenit, zona Tempio Voltiano: në vazhdim kërkimet për një vajzë 10-vjeçare. Të angazhuar shpëtuesit lumorë dhe zhytësit.“
