PS refuzon zgjatjen e mandatit të Komisionit për Reformën Territoriale

KUVENDI: Reforma Territoriale, PS refuzon kërkesën e PD për zgjatjen e afateve të Komisionit të Posaçëm: “Treni ka ikur”

TIRANË – Deputetët e Partisë Socialiste votuan kundër zgjatjes së komisionit parlamentar për reformën territoriale, duke marrë 82 vota. Sipas bashkëkryetarit demokrat të komisionit, Luçiano Boçi, puna e tij duhet të ishte zgjatur pasi misioni për të cilin ishte ngritur nuk ishte përmbushur plotësisht. Ai theksoi se nuk ishin dëgjuar të gjithë kryebashkiakët dhe nuk ishte diskutuar për një pjesë të rëndësishme të Shqipërisë, siç është Tirana.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, hodhi poshtë këto pretendime, duke argumentuar se çështja duhet të ishte diskutuar në seancën e kaluar. “Ai tren ka ikur tashmë,” u shpreh Balla.

Kërkesa e PD-së, e firmosur nga Luçiano Boçi, parashtronte:

  • Në cilësinë e Bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, bazuar në Vendimin nr. 75/2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kërkoj zgjatjen e mandatit të Komisionit me 3 muaj.
  • Kërkoj që puna e Komisionit të vijojë edhe gjatë muajit gusht, me qëllim përmbushjen e plotë të mandatit të tij.
  • Vlerësoj se Komisioni nuk duhet të konsiderojë të përfunduar veprimtarinë e tij dhe të depozitojë produktin përfundimtar në Kuvend pa u kaluar dhe votuar nga Komisioni.
  • Gjithashtu, nuk duhet të bëhet kjo pa u konsultuar paraprakisht dhe pa marrë opinionin institucional të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, si institucioni më i specializuar evropian në fushën e demokracisë vendore, decentralizimit dhe autonomisë së pushtetit vendor.
  • Kjo kërkesë mbështetet në faktin se deri më sot nuk janë përmbushur një pjesë e konsiderueshme e objektivave dhe aktiviteteve të miratuara nga vetë Komisioni në Projektkalendarin e Punës.
Scroll to Top