68 mijë të papunë, aftësi vs. kërkesa tregu

68 mijë të papunë, tregu nuk gjen punëtorë: Ekspertja thekson mospërputhjen mes aftësive dhe kërkesave të tregut si sfidën më të madhe

Edhe pse numri i të papunëve ka shënuar një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, mbi 68 mijë persona vijojnë të jenë në kërkim të një vendi pune. Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive tregojnë se sfida kryesore nuk është mungesa e vendeve të punës, por mospërputhja mes aftësive të punëkërkuesve dhe kërkesave të tregut.

“Kjo shpjegohet me faktin se një pjesë e mirë e të diplomuarve nuk plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e kërkesave të sektorit privat, por edhe të sektorit publik. Nga ana tjetër, niveli i pagave nuk përkon me atë çka të diplomuarit kanë si pritshmëri të tyre. Pikërisht kjo, mungesa e dëshirës për ato sektorë që kanë kërkesë pune, bën që një pjesë e mirë e të papunëve të mbeten përsëri të papunë, pavarësisht se ka kërkesa në tregun e punës”, tha ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi.

Ndërkohë, për eksperten, sektorët që po kontribuojnë më së shumti në përthithjen e kapitalit njerëzor janë pikërisht ata që po kontribuojnë në rritjen ekonomike. “Në Shqipëri janë pikërisht sektori i ndërtimit, sektori i turizmit dhe sektorët që kanë lidhje me tregtinë, të cilët kanë edhe kërkesë të shtuar për punonjës”, tha ajo.

Ekspertja rendit një sërë grupimesh mes punëkërkuesve:

  • Të diplomuar, të sapodiplomuar, të cilët kanë aftësi teorike, jo praktike, nuk kanë eksperiencë pune dhe ndaj nuk janë konkurrues në tregun e punës.
  • Individë të cilët nuk kanë aftësi teknologjike, gjë që është shumë e rëndësishme, sepse mund të kenë eksperiencë pune, por nuk kanë aftësi teknologjike.

Ndërkohë, Radonshiqi vëren një rikthim të pensionistëve në tregun e punës. “Dikur ka qenë mosha, por sot po shohim rikthimin e pensionistëve si profesionistë të lirë, si nga nevoja që ata kanë për të qenë pjesë e tregut të punës për shkak të nivelit të ulët të pensioneve, por edhe nga nevoja që ka vetë tregu i punës për individë të kualifikuar”, tha ajo.

Përveç kësaj, plakja e fuqisë punëtore është një sfidë madhore, ku 47% e punëkërkuesve janë mbi 45 vjeç, me një përqendrim të lartë prej 24,261 individësh mbi 50 vjeç, të cilët kanë nevojë për rikualifikim për t’u përshtatur me kërkesat e reja teknologjike.

Gazetar: Omer Saraçi /rtsh.al/

Scroll to Top