Sulmi më i madh me dronë në rajonin e Moskës nga Ukraina

Rajoni i Moskës u godit gjatë natës nga ai që autoritetet ruse e cilësojnë si sulmi më i madh me dronë që nga fillimi i luftës, me më shumë se 390 mjete ajrore pa pilot, të cilat, sipas Moskës, u lëshuan nga Ukraina drejt kryeqytetit rus.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, njoftoi përmes Telegramit se shumica e dronëve u neutralizuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore përpara se të arrinin në kryeqytet. Ai shtoi se 81 dronë u rrëzuan teksa po i afroheshin Moskës.

Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, konfirmoi se sulmet shkaktuan dëme në disa shtëpi dhe prona, por deri më tani nuk ka raportime për viktima.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë ndërtesa banimi të dëmtuara në qytetin e Çehovit, ku disa apartamente u përfshinë nga flakët pas goditjeve.

Ndërkohë, burime pranë Ukrainës pretenduan se një objekt industrial në Çehov, i identifikuar si uzina “Hydrostat Construction”, u godit gjatë sulmit, ndërsa mbi zonë u pa të ngrihej tym i dendur. Autoritetet ruse nuk kanë konfirmuar zyrtarisht dëmtimin e këtij objekti.

Po ashtu, mediat ruse raportuan për një zjarr të madh në qendrën logjistike të kompanisë Wildberries, në Kolyedino, pranë Moskës. Sipas raportimeve, flakët përfshinë mbi 250 mijë metra katrorë, megjithatë shkaku i zjarrit nuk është konfirmuar dhe nuk dihet nëse lidhet me sulmet me dronë.

Sulmi vjen vetëm pak orë përpara takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan Donald Trump, ku pritet të diskutohet mbështetja e mëtejshme e SHBA-së për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Scroll to Top