Shqipëria ngjitet në vendin e 25-të në botë për barazinë gjinore, duke lënë pas rajonin.
Gratë në Shqipëri po afrohen gjithnjë e më shumë drejt nivelit të burrave në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetit dhe përfaqësimit politik. Megjithatë, hendeku gjinor nuk është eliminuar plotësisht.
Shqipëria ka arritur të mbyllë 77.5% të hendekut gjinor dhe aktualisht renditet e 25-ta në botë, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar kur ishte në vendin e 36-të. Rezultati është rritur me 1.2 pikë përqindje, ndërsa pozicioni në renditje është ngritur me 11 vende.
Ky raport u publikua nga Indeksi i Forumit Ekonomik Botëror (WEF), i cili vlerëson dallimet mes grave dhe burrave në katër fusha kryesore: pjesëmarrja dhe mundësitë ekonomike, arsimi, shëndeti dhe mbijetesa, si dhe fuqizimi politik.
Rezultati “1” përfaqëson barazi të plotë. Kështu, rezultati i Shqipërisë prej 0.775 tregon se vendi ka mbyllur 77.5% të hendekut të matur nga ky indeks.
Shqipëria kryeson Ballkanin Perëndimor
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria shënon rezultatin më të lartë mes ekonomive të përfshira në indeks:
- Serbia renditet e 39-ta në botë me rezultat 0.754.
- Bosnjë-Hercegovina e 62-ta me 0.723.
- Mali i Zi e 74-ta me 0.715.
- Maqedonia e Veriut e 82-ta me 0.709.
Dallimi është veçanërisht i theksuar me Serbinë. Ndërsa Shqipëria ka avancuar 11 vende në renditjen globale, Serbia ka rënë 13 vende, nga pozicioni i 26-të në të 39-tin.
Në rangun evropian, Shqipëria zë vendin e 16-të nga 40 ekonomi, duke u renditur pas Sllovenisë dhe para Zvicrës. Ekonomitë europiane që kryesojnë këtë renditje janë Islanda, Finlanda dhe Norvegjia.
Ekonomia, pika më e fortë, sidomos për pagat e profesionistëve
Një nga rezultatet më të larta të Shqipërisë është në fushën e pjesëmarrjes dhe mundësive ekonomike, ku vendi ka mbyllur 79.9% të hendekut dhe renditet e 12-ta në botë. Shqipëria kryeson botën për barazinë e pagave për punë të ngjashme dhe për përfaqësimin e grave në profesione teknike dhe profesionale.
Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu se gjatë viteve të fundit, gratë në pozicione drejtuese janë paguar më shumë se meshkujt:
- Për grupin e profesionit “Drejtues administrativë dhe komercialë”, në vitin 2025 gratë paguheshin 232 mijë lekë kundrejt 214 mijë lekëve për burrat, pra rreth 8% më shumë.
- Për profesionin “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, gratë në vitin 2025 u paguan 126 mijë lekë, 9% më shumë se burrat.
Sipas raportit të Forumit Ekonomik Global, në fushën e arsimit, hendeku është mbyllur në 96.2%, ndërsa në shëndet dhe mbijetesë në 96.5%. Megjithatë, në fuqizimin politik, diferenca është dukshëm më e madhe: Shqipëria ka mbyllur vetëm 37.3% të hendekut dhe renditet e 28-ta në botë. Brenda këtij komponenti, rezultati për gratë në parlament është 52.2%, ndërsa për gratë në pozicione ministrore arrin 85.7%. Përfaqësimi në parlament dhe në nivelet drejtuese mbetet kështu një nga fushat ku ka ende dallime të rëndësishme.
Europa kryeson renditjen globale
Në nivel rajonal, Europa kryeson renditjen botërore, me 75.7% të hendekut gjinor të mbyllur në vitin 2026. Krahasuar me vitin 2006, rezultati i rajonit është përmirësuar me 7 pikë përqindje.
WEF vlerëson se me ritmin aktual, Europës do t’i duheshin rreth 70 vjet për të arritur barazi të plotë. Dhjetë vendet e para globale dominohen nga ekonomitë europiane:
- Islanda kryeson me 93% të hendekut të mbyllur.
- Finlanda e ndjek me 87.2%.
- Norvegjia me 85.7%.
Në dhjetëshen e parë përfshihen gjithashtu Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Gjermania dhe Irlanda.
Europa ka arritur nivele shumë të larta në arsim dhe shëndetësi, ndërsa pjesa më e madhe e hendekut të mbetur lidhet me ekonominë dhe sidomos me përfaqësimin politik. Në vitin 2026, rajoni ka mbyllur 99.5% të hendekut në arsim dhe 96.9% në shëndet e mbijetesë.
Në botë, hendeku mbyllet ngadalë
Raporti i vitit 2026 përfshin 145 ekonomi dhe tregon se në nivel global është mbyllur 69.2% e hendekut gjinor. Në krahasim me ekonomitë e krahasueshme me vitin e kaluar, përmirësimi ishte 0.4 pikë përqindje. Megjithatë, asnjë ekonomi nuk ka arritur ende barazi të plotë.
Fushat ku bota është më pranë barazisë janë shëndeti dhe mbijetesa, me 96.2% të hendekut të mbyllur, dhe arsimi, me 96.9%. Ndërkohë, hendeku është shumë më i madh në pjesëmarrjen ekonomike, ku janë mbyllur 61.7% e diferencave, dhe veçanërisht në fuqizimin politik, me vetëm 22.1%.
Sipas WEF, nëse ritmi i përparimit të dy dekadave të fundit vazhdon, do të duhen rreth 120 vjet për të arritur barazi të plotë gjinore në nivel global. Në 20 vitet e fundit, rezultati global është përmirësuar me 5.2 pikë përqindje në mesin e 97 ekonomive të përfshira në të gjitha edicionet që nga viti 2006.
Islanda mbetet ekonomia me rezultatin më të lartë, me 93%, dhe është e vetmja që ka mbyllur më shumë se 90% të hendekut. Në anën tjetër, hendeku ekonomik dhe ai politik vazhdojnë të jenë pengesat kryesore globale për arritjen e barazisë.
