Agjencitë e reja do të kalojnë në filtër kostoje para se të krijohen
Qeveria do të duhet të kryejë një analizë të detajuar organizative, funksionale dhe buxhetore përpara se të miratojë krijimin, bashkimin, ndryshimin ose mbylljen e një institucioni varësie ose agjencie autonome.
Kjo kërkesë bëhet pjesë e legjislacionit të ri, konkretisht ligji nr. 63/2026, i cili është publikuar së fundmi në Fletoren Zyrtare dhe do të hyjë në fuqi gjatë muajit gusht. Ky ligj sjell ndryshime në kuadrin ligjor që rregullon organizimin e administratës shtetërore.
Analiza e propozuar duhet të argumentojë me qartësi arsyet e ndryshimeve institucionale, të vlerësojë performancën e strukturave ekzistuese dhe të shqyrtojë format alternative për kryerjen e funksioneve të caktuara.
Në rastet kur propozohet krijimi i një institucioni apo agjencie të re, dokumentacioni duhet të shpjegojë në mënyrë bindëse pse funksionet përkatëse nuk mund të realizohen në mënyrë efektive nga një strukturë e brendshme e ministrisë apo nga një institucion tashmë ekzistues.
Analiza gjithashtu duhet të përfshijë vlerësimin e ndikimit buxhetor, numrin e punonjësve të nevojshëm, si dhe identifikimin e rreziqeve dhe sfidave që lidhen me alternativat e shqyrtuara.
Departamenti i Administratës Publike do të ketë rolin e dhënies së opinionit gjatë fazave të shqyrtimit dhe miratimit të çdo ndryshimi institucional.
Ligji vendos gjithashtu kufizime të drejtpërdrejta për krijimin e institucioneve të varësisë. Një institucion i tillë nuk mund të krijohet nëse funksioni administrativ mund të kryhet më mirë nga një strukturë ekzistuese e ministrisë ose e Kryeministrisë, apo nëse realizimi i tij kërkon një numër të vogël punonjësish. Numri minimal i punonjësve do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Institucionet e varësisë mund të financohen nga buxheti i shtetit, duke përdorur tarifat ose burime të tjera të ligjshme të ardhurash.
Ligji specifikon se tarifat duhet të miratohen në çdo rast nga Këshilli i Ministrave, ndërsa akti i krijimit të institucionit duhet të përmbajë qartë mënyrën dhe burimet e financimit.
Ndryshimet sjellin kufizime edhe për rastet kur një institucion mund të vendoset në varësi të Kryeministrit. Kjo lejohet vetëm për funksione që mbështesin kompetencat kushtetuese të tij ose për funksione horizontale që nuk i përkasin ekskluzivisht një ministrie.
Institucionet në varësi të Kryeministrit nuk duhet të kryejnë drejtpërdrejt zbatimin e ligjit, ofrimin e shërbimeve publike ose zbatimin e politikave të hartuara nga një ministri. Përjashtimi nga ky rregull lejohet vetëm nëse funksioni konsiderohet si prioritet qeverisës, sipas programit politik të Këshillit të Ministrave.
Ligji rishikon gjithashtu statusin e agjencive autonome, duke i lidhur ato me rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve, sektorëve të ekonomisë dhe shërbimeve me interes publik. Këto agjenci do të gëzojnë pavarësi funksionale për kompetencat rregullatore, ndërsa aktet e tyre mund të kundërshtohen vetëm në gjykatën kompetente administrative.
