Gjermania kërkon 80,000 ushtarë: Shërbimi i detyrueshëm rikthehet?

Gjermania kërkon 80,000 ushtarë: A do të rikthehet shërbimi i detyrueshëm?

Gjermania po ndërmerr një nga ndryshimet më të mëdha në politikën e saj të mbrojtjes që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Synimi është zgjerimi i forcave të armatosura, përballë luftës në Ukrainë, tensioneve me Rusinë dhe pasigurive mbi mbështetjen e ardhshme të Shteteve të Bashkuara.

Bundeswehr synon të rrisë numrin e ushtarëve aktivë me 80,000, duke arritur në 260,000 efektivë. Gjithashtu, planifikohet krijimi i një force rezervë prej 200,000 personash. Ky plan mbështetet në Aktin e Modernizimit të Shërbimit Ushtarak, i cili hyri në fuqi më 1 janar.

Në kuadër të këtij ligji, autoritetet gjermane u kanë dërguar mbi 300,000 letra të rinjve nën moshën 18 vjeç, për t’u kërkuar të regjistrojnë gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar ushtrisë dhe për të mbledhur të dhëna mbi gjendjen fizike dhe nivelin arsimor. Ndërsa burrat janë të detyruar t’u përgjigjen autoriteteve, gratë e marrin njoftimin në mënyrë vullnetare.

Megjithatë, kjo iniciativë ka hasur në kundërshtime. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 6,000 të rinj kanë kërkuar përjashtim nga shërbimi ushtarak këtë vit për arsye fetare ose morale. Ky numër tejkalon totalin e kërkesave të regjistruara gjatë gjithë vitit të kaluar.

Një dispozitë e ligjit, e cila kërkonte që burrat nga 17 deri në 45 vjeç të merrnin miratim paraprak për qëndrime të gjata jashtë vendit, u tërhoq pas reagimeve të forta nga organizatat studentore dhe grupet e opozitës.

Ndër zërat kritikë është edhe lëvizja “Greva e Shkollës Kundër Rekrutimit”, e krijuar në fund të vitit të kaluar. Anëtarët e saj argumentojnë se qeveria po investon në militarizim, ndërkohë që arsimi dhe nevojat e të rinjve mbeten të nënfinancuara.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Gjermani u pezullua në vitin 2011, pasi u konsiderua i panevojshëm në klimën e sigurisë pas Luftës së Ftohtë. Megjithatë, ndryshimet në situatën gjeopolitike kanë rikthyer debatin mbi nevojën e një force më të madhe ushtarake.

Pavarsësisht objektivave ambiciozë, deri tani vetëm rreth 500 rekrutë të rinj janë bashkuar me Bundeswehr-in këtë vit. Kjo ka shtuar presionin ndaj qeverisë, ndërsa disa politikanë paralajmërojnë se deri në mesin e vitit të ardhshëm Gjermania mund të detyrohet të shqyrtojë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak nëse objektivat e rekrutimit nuk arrihen.

Scroll to Top