KLSH: Shqipëria pa mekanizma matjeje për progresin kundër varfërisë

KLSH: Shqipëria, pa mekanizma funksionalë për matjen e progresit kundër varfërisë

Shqipëria nuk ka arritur të sigurojë harmonizim, koordinim dhe monitorim efektiv të politikave për përmbushjen e objektivit të Kombeve të Bashkuara për zhdukjen e varfërisë deri në vitin 2030. Kjo konstatohet në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).

Auditimi i performancës, i cili mbuloi periudhën 2022-2024, shqyrtoi politikat e ministrive përgjegjëse, agjencive qendrore, Institutit të Statistikave (INSTAT) dhe bashkive Durrës e Elbasan.

Raporti thekson se:

  • Harmonizimi i Objektivit 1 të OJQ-ve (Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm) — “Zhdukja e varfërisë në të gjitha format” — me strategjitë dhe programet kombëtare është i paplotë.
  • Ky përfundim lidhet me mungesën e një Kornize Kombëtare të Indikatorëve, mungesën e lidhjeve të matshme mes dokumenteve strategjike dhe politikave, si dhe me faktin se Udhërrëfyesi për arritjen e objektivave ende nuk është miratuar.
  • Mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional për mbledhjen e të dhënave, monitorimin dhe raportimin e progresit të OJQ 1 nuk kanë funksionuar.

Pjesa më e madhe e institucioneve qendrore dhe vendore nuk kanë struktura ose persona përgjegjës të caktuar për ndjekjen e objektivave. Bashkitë, nga ana e tyre, nuk i përdorin të dhënat për ndihmën ekonomike dhe shërbimet sociale për të analizuar progresin kundër varfërisë.

Sistemi Informatik i Planifikimit të Integruar, i cili duhet të lidhte politikat, planifikimin strategjik, buxhetimin dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, rezulton jo funksional.

Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, në komentet e saj brenda raportit, pranoi se platforma është jashtë funksionit dhe tha se po bashkëpunon me Ministrinë e Financave për zgjidhjen e problemeve dhe përditësimin e saj.

KLSH vlerëson zbatimin e masave për arritjen e objektivit si “pjesërisht efektiv”. Raporti evidenton se më shumë se 40% e popullsisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social, ndërsa buxheti për mbrojtjen sociale është ndjeshëm më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave të INSTAT, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër ishte 19.2% në vitin 2024. KLSH thekson se fëmijët dhe të moshuarit mbeten ndër grupet më të ekspozuara, ndërsa pabarazitë mes zonave urbane dhe rurale kufizojnë qasjen në arsim, kujdes shëndetësor dhe shërbime sociale.

Financimi i lidhur me Objektivin 1 është rritur nga rreth 60 miliardë lekë në vitin 2016 në rreth 100 miliardë lekë në vitin 2024. Megjithatë, kontributet nga donatorët dhe burimet e tjera nuk janë ende të detajuara plotësisht, dhe mungesa e sistemeve funksionale vështirëson lidhjen e shpenzimeve me rezultatet e arritura.

KLSH rekomandon ngritjen dhe formalizimin, brenda vitit 2026, të strukturave ose pikave të kontaktit përgjegjëse për monitorimin dhe raportimin e objektivit në institucionet qendrore dhe vendore. Audituesi kërkon gjithashtu rikthimin në funksion të sistemit të planifikimit të integruar dhe përfshirjen e gjetjeve të raportit në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ndërministror për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Raporti përfundon duke theksuar nevojën për “përpjekje të mëtejshme për të siguruar progres të qartë, të matshëm dhe të qëndrueshëm” drejt zhdukjes së varfërisë në të gjitha format deri në vitin 2030.

Scroll to Top