Tragjedi Broad Peak: Gjenden 4 trupa, kërkime për 6 alpinistë

Tragjedia në Broad Peak: Gjenden trupat e katër alpinistëve të humbur nga orteku, kërkimet vijojnë për gjashtë të tjerë

Katër alpinistë janë gjetur të pajetë në Pakistan, pasi një ortek ka goditur një grup prej 10 personash gjatë ekspeditës së tyre në malin Broad Peak. Ekipet e kërkim-shpëtimit po vijojnë operacionet për gjetjen e gjashtë alpinistëve të tjerë që rezultojnë ende të zhdukur.

Aksidenti ka ndodhur në një nga zonat më të vështira të Himalajeve pakistaneze, në malin Broad Peak, i cili arrin lartësinë 8 051 metra dhe konsiderohet ndër majat më të rrezikshme për t’u ngjitur.

Menjëherë pas rënies së ortekut, autoritetet kanë nisur operacionet e shpëtimit. Përveç ekipeve tokësore, në këto operacione janë përfshirë edhe helikopterë të ushtrisë pakistaneze. Kërkimet po zhvillohen në kushte të vështira për shkak të terrenit ekstrem, motit të paqëndrueshëm dhe largësisë së zonës së aksidentit.

Mes personave të zhdukur është edhe alpinisti i njohur nepalez Nirmal Purja, 43 vjeç, i cili ka fituar famë ndërkombëtare pasi vendosi një rekord për ngjitjen më të shpejtë të 14 majave më të larta në botë.

Në ekspeditë merrnin pjesë alpinistë nga Nepali, Pakistani, Omani, Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Ministria e Jashtme e Nepalit ka konfirmuar se gjashtë prej personave të zhdukur janë shtetas nepalezë.

Ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet në terren, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë përfundimisht fatin e të gjithë anëtarëve të ekspeditës.

Scroll to Top