“`html
PS kërkoi shkrirjen e 15 Bashkive, PD i kundërpërgjigjet: Të shkojë numri nga 61 në 100. 15 vetëm për Tiranë-Durrës
TIRANË – Në kuadër të reformës së re të ndarjes territoriale, Partia Demokratike (PD) propozon rritjen e numrit të bashkive nga 61 në 100 dhe organizimin e vendit në gjashtë rajone, si pjesë e një varianti të ri për reformën administrativo-territoriale. Sipas këtij propozimi, harta aktuale, e miratuar në vitin 2014, do të zgjerohej me 39 bashki të reja.
Një pjesë e njësive administrative, që aktualisht funksionojnë brenda bashkive të mëdha, do të riktheheshin si bashki më vete. Gjithashtu, disa bashki ekzistuese do të riorganizoheshin ose do të ndaheshin në njësi më të vogla.
Ndarja e propozuar parashikon gjashtë rajone:
- Shkodër–Lezhë
- Dibër–Kukës
- Tiranë–Durrës
- Elbasan–Korçë
- Fier–Berat
- Vlorë–Gjirokastër
Varianti i PD-së synon të zhbëjë një pjesë të bashkimeve të realizuara me reformën territoriale të vitit 2014, duke rikthyer si bashki më vete ish-komuna ose qendra urbane që sot janë njësi administrative. Ndryshimi më i madh do të ndodhte në qarqet Fier, Tiranë dhe Lezhë, ku parashikohet shtimi i përbashkët i 16 bashkive. Në të kundërt, Qarku i Gjirokastrës do të mbetej me të njëjtin numër bashkish.
Ditën e djeshme, Partia Socialiste (PS) në propozimin e saj pati në themel reduktimin e mëtejshëm të numrit të bashkive nga 61 në 46.
Tirana dhe Durrësi me 15 bashki
Rajoni Tiranë–Durrës do të përbëhej nga 15 bashki, nga tetë që ka aktualisht, duke shtuar shtatë njësi të reja. Në Qarkun e Tiranës, numri i bashkive propozohet të dyfishohet, nga pesë në dhjetë. Krahas Tiranës, Kamzës, Vorës, Kavajës dhe Rrogozhinës, propozohen si bashki më vete Petrela, Kashari, Dajti, Arbana dhe Ndroqi. Sipas variantit të PD-së, Tirana do të kufizohej vetëm në territorin e njësisë aktuale të Tiranës, ndërsa njësitë periferike do të organizoheshin në bashki të veçanta. Kashari do të ishte bashki më vete, ndërsa Dajti do të përfshinte edhe Shëngjergjin dhe Zall-Bastarin.
Në Qarkun e Durrësit, numri i bashkive do të rritej nga tre në pesë. Përveç Durrësit, Shijakut dhe Krujës, propozimi parashikon bashkitë e Sukthit dhe Fushë-Krujës.
Shkodër–Lezhë, dyfishim i numrit të bashkive
Rajoni Shkodër–Lezhë do të kishte 16 bashki, nga tetë që përfshin territori aktualisht. Në Qarkun e Shkodrës propozohet rritja e numrit të bashkive nga pesë në tetë, me krijimin e bashkive të Velipojës, Drivastit dhe Koplikut. Bashkia e propozuar e Drivastit do të përfshinte Rrethinat, Postribën, Pultin, Shalën dhe Shoshin. Ndryshimi më i madh në këtë rajon parashikohet në Qarkun e Lezhës, ku numri i bashkive do të rritej nga tre në tetë. Krahas Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit, propozohen bashkitë Bregu i Matës, Zadrima, Orosh, Rubik dhe Mamurras.
Dibër–Kukës me 13 bashki
Rajoni Dibër–Kukës propozohet të ketë 13 bashki, nga shtatë aktualisht. Qarku i Kukësit do të kalonte nga tre në pesë bashki, me krijimin e Shishtavecit dhe Bicajt si bashki më vete. Qarku i Dibrës do të dyfishonte numrin e bashkive, nga katër në tetë, përmes krijimit të bashkive Maqellarë, Shupenzë, Kastriot dhe Lurë. Bashkia e propozuar e Kastriotit do të përfshinte, ndër të tjera, Kastriotin, Fushë-Çidhnën, Sllovën, Kalanë e Dodës, Muhurrin dhe Selishtën.
Elbasan–Korçë me 19 bashki
Rajoni Elbasan–Korçë do të kishte 19 bashki, nga 13 aktualisht. Në Qarkun e Elbasanit do të shtoheshin bashkitë Bradashesh dhe Shpat, duke e çuar numrin e përgjithshëm nga shtatë në nëntë. Në Qarkun e Korçës numri i bashkive propozohet të rritet nga gjashtë në dhjetë. Krahas bashkive aktuale, do të krijoheshin bashkitë Voskopojë, Pojan, Leskovik dhe Mokër. Propozimi parashikon gjithashtu që Bashkia Kolonjë të emërtohet Ersekë, ndërsa Leskoviku të ndahet si bashki më vete.
Fier–Berat, tetë bashki të reja
Rajoni Fier–Berat do të përfshinte 19 bashki, nga 11 që ka aktualisht, duke shënuar një nga zgjerimet më të mëdha të hartës së propozuar. Në Qarkun e Fierit, numri i bashkive do të dyfishohej nga gjashtë në 12. Ndër njësitë e reja të propozuara janë Ardenica, Krutja, Dushku, Fratari, Levani dhe Cakrani. Territori i Bashkisë Mallakastër do të ndahej ndërmjet dy bashkive. Njëra do të mbante emrin Mallakastër dhe do të përfshinte Ballshin, Qendrën, Ngraçanin dhe Aranitasin, ndërsa bashkia tjetër do të kishte qendër Fratarin.
Në Qarkun e Beratit do të shtoheshin bashkitë Otllak dhe Shpirag, duke e çuar numrin e bashkive nga pesë në shtatë.
Vlora me katër bashki të reja, Gjirokastra mbetet e pandryshuar
Rajoni Vlorë–Gjirokastër do të kishte 18 bashki, nga 14 aktualisht. Të katër bashkitë e reja do të krijoheshin në Qarkun e Vlorës, ku numri i njësive vendore do të rritej nga shtatë në 11. Propozimi përfshin bashkitë Orikum, Amantia, Ksamil dhe Novoselë. Bashkia e Himarës, sipas variantit të propozuar, do të përfshinte Himarën dhe Lukovën, ndërsa Orikumi do të funksiononte si bashki më vete. Amantia do të krijohej nga njësitë Kotë, Brataj, Sevaster dhe Vranisht.
Qarku i Gjirokastrës është i vetmi ku nuk propozohet rritje e numrit të bashkive. Ai do të vazhdonte të kishte shtatë njësi vendore: Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Memaliaj, Tepelenë, Këlcyrë dhe Përmet.
“`
