Presidenti Begaj Dekreton Marrëveshjen e Huasë prej 302 Milionë Dollarësh me SHBA-në, hyn në Fuqi Menjëherë
Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar marrëveshjen e huasë direkte prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo marrëveshje, në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF) për fushën e mbrojtjes, hyn në fuqi menjëherë.
Dekreti, i cili mban datën 30 korrik dhe është publikuar në faqen zyrtare të presidencës, ka marrë pëlqimin e Presidentit Begaj për hyrjen në fuqi të menjëhershme të ligjit të miratuar.
Marrëveshja bën pjesë në programin amerikan të Financimit të Jashtëm Ushtarak (Foreign Military Financing – FMF), i cili ka për qëllim të mbështesë kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë dhe të forcojë bashkëpunimin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka theksuar se kjo marrëveshje nuk është vetëm një instrument financiar, por një investim strategjik. Ai ka sqaruar se ajo do të shërbejë për:
- Sigurinë kombëtare në kuadër të NATO 3.0 dhe angazhimin e Shqipërisë si aleat i përkushtuar në NATO.
- Forcimin e kapaciteteve dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.
- Thellimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin më të rëndësishëm të Shqipërisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk e votoi ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend, duke argumentuar se ajo u dërgua në Kushtetuese për shkak të votimit me procedurë të përshpejtuar.
Dekreti i Presidentit Begaj:
PËR SHPALLJE LIGJI DHE DHËNIEN E PËLQIMIT PËR HYRJEN NË FUQI MENJËHERË TË LIGJIT
Në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe 4, dhe nenit 93 të Kushtetutës, D E K R E T O J:
Neni 1
Shpalljen e ligjit nr. 91/2026, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF)”.
Neni 2
Dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit nr. 91/2026, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF)”.
