“Dimali ka ekzistuar që prej shekullit të V para erës sonë”, kryebashkiakja Memaj kundër Reformës së re Territoriale: Si do jemi ne më mirë me Beratin?!
Publikuar më 01.08.2026 nga shekulli_admin
Kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, e cila vjen nga Partia Socialiste, ka reaguar ashpër ndaj propozimit të PS-së për riorganizimin administrativo-territorial. Ajo kundërshton planin për shkrirjen e Bashkisë Dimal dhe bashkimin e saj me Bashkinë Berat.
Memaj e ka bazuar qëndrimin e saj te historia, identiteti dhe potenciali ekonomik i zonës. Ajo sjell në vëmendje se Dimali ka ekzistuar që prej shekullit të V para erës sonë dhe se territori ka pasur ndër vite një rol të rëndësishëm ekonomik e strategjik.
Sipas saj, reforma territoriale e vitit 2015 krijoi një komunitet të lidhur nga historia, tradita dhe ekonomia lokale. Ndryshimi i emrit të bashkisë në Dimal ishte rezultat i një procesi të gjerë konsultimi me qytetarët.
“Ky proces vërtetoi edhe njëherë se vullneti i këtij komuniteti të dalë nga reforma e vitit 2015 është të qëndrojnë bashkë si një njësi e tërë, se ata janë të lidhur nga historia, tradita dhe potenciali ekonomik”, shkruan Memaj.
Kryetarja e bashkisë ka ngritur pikëpyetje mbi arsyetimin e reformës së re territoriale, duke thënë se nuk është e qartë mbi çfarë kriteresh është vendosur shkrirja e Bashkisë Dimal dhe bashkimi i saj me njësi të tjera vendore.
Ajo ka krahasuar të dhënat financiare të Bashkisë Dimal me Bashkinë Berat, duke argumentuar se Dimal ka një përqindje më të lartë të investimeve nga buxheti i saj faktik dhe një numër më të ulët punonjësish për 1000 banorë.
Sipas Memajt, Bashkia Dimal ka arritur të gjenerojë më shumë të ardhura gjatë ekzistencës së saj dhe këto janë rikthyer në investime dhe shërbime për qytetarët.
“Një njësi vendore që arriti të gjenerojë 5 herë më shumë të ardhura gjatë ekzistencës së saj dhe duke bërë të mundur që këto të ardhura t’i rikthehen qytetarit, në investime kapitale dhe shërbime, pse duhet të shkrihet?”, shprehet ajo.
Në reagimin e saj, Memaj ka kundërshtuar edhe mënyrën e zhvillimit të procesit, duke pretenduar se analizat e përdorura për reformën nuk u janë vënë në dispozicion institucioneve vendore për t’u shqyrtuar dhe për të dhënë sugjerime.
Ajo ka theksuar se çdo ndryshim territorial duhet të bazohet në kritere të qarta, në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës.
“Një organizëm administrativ është një qenie e gjallë, prandaj mendoj se çdo ndryshim duhet të jetë i mirëmenduar, i argumentuar në bazë kriteresh të gjithëpranuara dhe të dalë nga një proces gjithëpërfshirës e transparent”, shkruan kryetarja e Bashkisë Dimal.
Memaj ka kundërshtuar propozimin e përfaqësuesve të Partisë Socialiste në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale për shkrirjen e Bashkisë Dimal, duke renditur si argumente shtimin e popullsisë, ekonominë lokale, eksportet bujqësore dhe identitetin historik të zonës.
Në përfundim të reagimit të saj, kryetarja e Bashkisë Dimal ka përsëritur qëndrimin se kjo bashki nuk duhet të shkrihet.
“Përfundimisht, Dimali duhet të vijojë të jetë njësi vendore më vete”, përfundon Juliana Memaj.
Reagimi i plotë:
Dimali ka ekzistuar prej shekullit të V para erës sonë. Në atë vend në kodrinat e bukura të Cukalatit, rreth shekullit të II para erës sonë, gëlonte jeta, bujqësia dhe tregtia. Aty, përballë dy maleve, Shpiragut dhe Tomorit, ishte një pikë vrojtuese për të mbrojtur Apoloninë. Artifaktet gëlonin në nëntokën e Dimalit, duke konfirmuar vëmendjen e munguar të institucioneve përkatëse të shtetit ndër vite.
Ekonomia lokale e zonës sonë, e dalë nga reforma territoriale e vitit 2015, gëlon nga bujqësia dhe tregtia, njësoj si dikur. Është një zonë me potencial zhvillimor, një zonë e begatë, me njerëz të ndershëm e punëtorë, që duket se me punën e tyre në vite kanë lënë gjurmë në këto troje.
Ndaj, në një proces të filluar në janar të vitit 2020 dhe që përfundoi më 23 prill 2021, me një përfshirje të gjerë qytetare, finalizuam ndryshimin e emrit për të krijuar një markë për ekonominë tonë lokale dhe një përfaqësim dinjitoz të zonës, për ta ngritur më lart emrin e saj që fliste shqip. Gjithë ky proces kaloi etapën e përcaktuar në ligj që kërkon një riorganizim pa ndryshim kufijsh. Ky proces vërtetoi edhe njëherë se vullneti i këtij komuniteti të dalë nga reforma e vitit 2015 është të qëndrojnë bashkë si një njësi e tërë, se ata janë të lidhur nga historia, tradita dhe potenciali ekonomik.
Pse e miratoi Kuvendi këtë nismë dhe ia ndryshoi emrin Bashkisë me ligjin nr. 34/2015? Përse e bëri kur kjo njësi vendore do të shkrihej? A nuk kanë politikanët tanë një qartësi të asaj që do të ndodhë nesër? Kaq e paqartë dhe e paparashikueshme është e ardhmja në këtë vend?
Pa u dashur të zgjatem më tej, që prej antikitetit vijnë shembuj të qartë: aty ku ka ligje të qarta e jetëgjatë ka zhvillim të qëndrueshëm e shtet të fortë (reforma e Likurgut zgjati 500 vjet).
Dhjetë vjet për të gjykuar për një reformë territoriale është shumë pak. Aq më tepër kur analiza e bërë për riorganizimin territorial, dërguar në Kuvend, nuk na është vënë në dispozicion, që stafet tona të kishin mundësi të njiheshin dhe të bënin kundërshtimet, sugjerimet dhe nga gjithë procesi të dilte më e mira, pa paragjykuar rezultatin.
Është e paqartë se si u arrit në konkluzionin se Bashkia Dimal, Polican, Divjakë apo ndonjë tjetër do të jenë më mirë nën administrimin e një njësie tjetër vendore? Si do të jetë më mirë Bashkia Dimal me Beratin, kur Bashkia Dimal rezulton ta ketë mesataren e raportit të investimeve të kryera nga buxheti i vetë me totalin e buxhetit faktik, në këto 10 vite, nga 33% deri në 38% të totalit të buxhetit, ndërsa Bashkia Berat vetëm 18%?
Nisur nga profilet e ndryshme të këtyre bashkive, është e paqartë se si do të operojë më mirë kjo njësi e re që do të dalë nga riorganizimi, kur vlera e investimeve të kryera në fshat nga Bashkia Dimal është 54% e totalit të investimeve të kryera nga kjo e fundit dhe në qytet 46%? Pra, kjo bashki ka bërë një ndarje të drejtë kudo në territor, duke i dhënë peshën që i takon fshatit. Lind pyetja: a do t’i japë njësia e re vendore të njëjtën peshë zonës rurale?
Si do të jetë më efikase Bashkia Berat kur Bashkia Dimal rezulton të ketë një numër më të ulët punonjësish për 1000 banorë? Një njësi vendore që arriti të gjenerojë 5 herë më shumë të ardhura gjatë ekzistencës së saj, duke bërë të mundur që këto të ardhura t’i rikthehen qytetarit në investime kapitale dhe shërbime, duke mos i keqmenaxhuar ato vetëm në shpenzime page, pse duhet të shkrihet?
Si drejtues institucioni, nuk kam dijeni se ku bazohet analiza e ekspertëve të kësaj reforme, pasi nuk na është vënë në dispozicion. Por, sido që të jetë, mbajtja e standarteve të ndryshme për bashki të njëjta për nga profili apo demografia, zhbën totalisht cilësinë e aktit të prodhuar prej tyre.
Një organizëm administrativ është një qenie e gjallë, kjo është cituar edhe në dispozita ligjore. Prandaj mendoj se çdo ndryshim duhet të jetë i mirëmenduar, i argumentuar në bazë kriteresh të gjithëpranuara dhe të dalë nga një proces gjithëpërfshirës e transparent.
Në vlerësimin tim, nuk duhet të shkrihet asnjë bashki. Qëndrimin tim për reformën e kam mbajtur pranë Komisionit të Reformës Territoriale. Bile kam shkuar më tej duke thënë se aty ku vetë njerëzit janë iniciatorë të shkëputjeve nga ndonjë njësi vendore, mund të rishihet mundësia e krijimit të ndonjë njësie vendore të re shtesë, por vetëm si nevojë e ardhur nga komunitetet.
Ende sot nuk kam një përgjigje: përse përfaqësuesit e PS-së në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë propozon të shkrijë në mënyrë të beftë një Bashki me ekonomi lokale, një bashki që në censusin e vitit 2025 rezulton me shtim popullsie ndryshe nga shumë të tjera? Pse përzgjedh të shkrijë një bashki që ka ritmin më të ulët të uljes së numrit të nxënësve në qark? Pse përzgjedh të shkrijë një bashki që ka gati gjysmën e buxhetit faktik nga të ardhurat? Pse përzgjedh një bashki që gjeneron 50 milionë euro eksporte bujqësore në vit, e mos t’i kthejë kësaj të fundit pjesën që i takon nga ndarja e taksave që gjenerohen nga futja e kësaj vlere në ekonomi? Pse përzgjedh të shkrijë një bashki me identitet, histori etj., etj.?
Mungesa e kritereve të qarta, të metat e procesit edhe anashkalimi i respektimit të zërit qytetar e bëjnë këtë propozim të pavlefshëm.
Përfundimisht, DIMALI DUHET TË VIJOJË TË JETË NJËSI VENDORE MË VETE!
