“`html
VIDEO/ Nga orët e gjumit te punët e së shkuarës, intervista e pazakontë e Edi Ramës me influencerin e njohur: Nuk dua të çmendem
Max Klymenko, një influencer me famë botërore me origjinë nga Ukraina, ka ndarë ditën e sotme në rrjetet e tij sociale një video ku interviston kryeministrin Edi Rama.
Videoja duket të jetë filmuar gjatë kohës që Rama ndodhej në Ankara të Turqisë, për samitin e NATO-s, pak kohë më parë. Në këtë intervistë të pazakontë, influenceri Max ka marrë përgjigje prej Ramës për një sërë temash, duke filluar nga pjesa më e vështirë dhe më e bukur e punës së tij si Kryeministër, e deri tek marrëdhëniet me liderët botërorë apo punët që ai ka bërë më parë.
Intervista:
Max: Përshëndetje, si je?
Rama: Përshëndetje.
Max: Dua të të bëj disa pyetje, nëse është në rregull.
Rama: Patjetër.
Max: Cila është pjesa më e vështirë e punës suaj?
Rama: Të mos çmendem.
Max: Po cila është pjesa e preferuar e punës suaj?
Rama: Të bëj gjëra të mira për njerëzit.
Max: Si po e ndihmon Shqipëria Ukrainën?
Rama: Dëgjo, ne jemi përpjekur të bëjmë më të mirën tonë. Nuk jemi një vend i madh apo i pasur, por kemi qenë me ta me gjithçka kemi mundur.
Max: Sipas mendimit tuaj, kush është kërcënimi më i madh për Shqipërinë?
Rama: Kërcënimi më i madh për Shqipërinë janë shqiptarët, në kuptimin që ne duhet të jemi të vetëdijshëm që na duhet të bëjmë shumë punë dhe na duhet të vazhdojmë në drejtimin e Bashkimit Europian. Kur të jemi në BE, do jemi më të sigurt edhe nga vetja jonë.
Max: Puna juaj është e dyta në botë që “të lë pa gjumë”, vetëm doktorët flenë më pak se politikanët. Sa gjumë flini zakonisht?
Rama: Zakonisht 5 orë, mund të jetë edhe më pak.
Max: Me cilin nga liderët aktualë botërorë mendoni se keni marrëdhënien më të mirë dhe me kë keni marrëdhënien më “sfiduese”?
Rama: Unë kam marrëdhënie të mira me këdo. Ndoshta marrëdhënia më e mirë është me Giorgia Meloni, për shkak të marrëdhënies speciale mes Shqipërisë dhe Italisë. Mund të them se kam pasur një marrëdhënie shumë sfiduese me Mark Rutte, kur ishte kryeministër i Holandës, por më pas u bëmë miq shumë të mirë dhe kemi një miqësi të veçantë mes nesh. Ai është personi që merret më mirë me Donald Trump.
Max: Sa punë keni pasur në jetën tuaj? Nëse mund t’i listoni?
Rama: Isha një artist me kohë të plotë, më pas u bëra… a u bëra politikan? Shpresoj që jo, por kam bërë shumë gjëra të tjera. Kam luajtur basketboll me skuadrën kombëtare, jo se isha shumë i mirë, por sepse isha i gjatë.
Max: A jeni i lumtur për “Knicks”? (skuadër basketbolli)
Rama: Nuk ndjek më basketboll. Pas daljes nga fusha të “black Jesus”, nuk është më loja e njëjtë.
Max: Së fundi, dua të pyes për këshillën që do i jepnit një personi të ri tani?
Rama: Dëgjo, kur unë isha fëmijë, kam qenë gjithmonë shumë i “tensionuar” kur më duhej të merrja këshilla. Kur u rrita, u betova me veten time që kur të isha i rritur nuk do të jepja kurrë këshilla të rinjve. Nuk është ide e mirë.
“`
