Protestë kundër reformës territoriale, aktivistët kundërshtojnë qeverinë

Dita e 63-të e protestës në Tiranë, aktivistët kundërshtojnë reformën territoriale: Po shesin Shqipërinë për interesat e tyre

Publikuar më 01.08.2026 nga shekulli_admin

Në Tiranë ka vijuar protesta e 63-të radhazi kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe klasës politike. Një nga temat kryesore të ngritura nga pjesëmarrësit ishte kundërshtimi i projektit për reformën e re territoriale.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe për t’u ndalur para godinës së kryeministrisë. Aty, organizatorët dhe aktivistët mbajtën fjalimet e tyre.

Gjatë protestës, një prej aktivistëve deklaroi se reforma territoriale synon të përqëndrojë pushtetin vendor dhe bëri thirrje për decentralizim. Ai theksoi se protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera kundër planit për shkrirjen e disa bashkive.

“Sot duhet të jemi të gjithë për decentralizim, sepse pushteti po përqendrohet në pak duar. Këto ditë janë zhvilluar protesta edhe në qytete të tjera dhe sot ishim në Belsh për t’i mbështetur qytetarët”, u shpreh ai.

Një tjetër aktivist u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin protestat që po zhvillohen në bashkitë e prekura nga reforma, duke pretenduar se projekti synon centralizimin e pushtetit vendor. Sipas tij, “janë 15 bashki që po centralizohen nga pushteti”. Ai akuzoi qeverinë për përqendrimin e kompetencave dhe cenimin e autonomisë vendore.

“Rama po kërkon të centralizoj pushtetin vendor duke shkrirë bashkitë. Ata janë jo vetëm të korruptuar, por edhe autokratë dhe të lidhur me krimin e organizuar, si dhe po e shesin Shqipërinë për interesin e tyre”, tha ai.

Aktivistët apeluan për vazhdimin e protestave si në Tiranë, ashtu edhe në qytetet e tjera të vendit. Synimi është të kundërshtohet projekti i reformës territoriale dhe të mbështeten bashkitë që, sipas tyre, rrezikojnë të shkrihen.

Scroll to Top