**Rinasi pritet t’i bashkohet Tiranës pas propozimeve të PS-së, Lutfi Dervishi: Krutanët mbajnë zhurmat, paratë ‘fluturojnë’ në kryeqytet**
Propozimi i Partisë Socialiste për reformën e re administrative-territoriale ka nxitur protesta mes banorëve të 15 bashkive që propozohet të shkrihen. Profesori dhe analisti Lutfi Dervishi ka reaguar ndaj kësaj ndarjeje të re, duke ngritur pikëpyetjen se përse aeroporti ndërkombëtar i Rinasit duhet t’i kalojë Tiranës, kur ndodhet në territorin e Bashkisë së Krujës.
Sipas Dervishit, nëse qëllimi i reformës është që komunitetet të përfitojnë maksimalisht nga pasuritë dhe asetet që kanë në territorin e tyre, atëherë Aeroporti i Rinasit duhet të mbetet pjesë e Krujës. Ai thekson se Rinasi është i vetmi territor që do të ndryshojë qarkun, duke u shkëputur nga Bashkia Krujë për t’i kaluar Tiranës.
Analisti vë në dukje se, gjeografikisht, pranë Rinasit ndodhen edhe Vora dhe Kamza, por reforma e re parashikon bashkimin e zonës ku ndodhet aeroporti i vetëm funksional në Shqipëri me Tiranën.
Në një postim në rrjetet sociale, Lutfi Dervishi krahason situatën me aeroportet ndërkombëtare të Brukselit (në komunën Zaventem), Beogradit (në komunën Surçin) dhe Romës (në komunën Fiumicino). Ai thekson se këto aeroporte, edhe pse të rëndësishme, ndodhen brenda komunave përkatëse, duke siguruar përfitime për komunitetet lokale.
Dervishi shpreh shqetësimin se në rastin e Rinasit, logjika duket të jetë tjetër: banorët të përballen me zhurmën, ndotjen dhe rrezikun, ndërsa të ardhurat nga aeroporti të shkojnë diku tjetër. Ai përfundon duke rikujtuar se thelbi i një reforme territoriale duhet të jetë përfitimi i komunitetit nga pasuritë dhe asetet në territorin e tij, jo vetëm mbajtja e kostove.
