‘Territoriale’ i bashkon me Kavajën, banorët e Rrogozhinës protestojnë dhe i kujtojnë origjinën presidentit Begaj
Qytetarë të Rrogozhinës u mblodhën mbrëmjen e të shtunës në sheshin kryesor të qytetit për të kundërshtuar projektin e reformës së re territoriale. Ky projekt parashikon shkrirjen e Bashkisë Rrogozhinë dhe bashkimin e saj me Bashkinë Kavajë.
Gjatë tubimit, banorët u shprehën se Rrogozhina ka identitetin dhe kapacitetet për të vijuar të funksionojë si bashki më vete. Sipas tyre, qyteti përfaqëson një nyje të rëndësishme në qendër të Shqipërisë dhe administron një territor me rreth 22 mijë banorë, pesë njësi administrative, 28 fshatra dhe një qendër urbane.
Pjesëmarrësit deklaruan se do të vijojnë kundërshtimin e tyre përmes rrugëve ligjore dhe qytetare. Ata po përgatisin një peticion që do t’u dërgohet institucioneve shtetërore, me kërkesën që Bashkia Rrogozhinë të mos përfshihet në projektin e bashkimit me Kavajën.
Gjatë tubimit nuk munguan edhe thirrjet drejtuar Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Banorët i kërkuan atij të mbështesë ruajtjen e Bashkisë Rrogozhinë, duke i kujtuar origjinën e tij nga zona e Gosës.
Banorët paralajmëruan se do të vijojnë reagimet e tyre nëse projekti i reformës territoriale do të ecë përpara pa marrë në konsideratë kërkesat e komunitetit lokal.
